Sulmet ajrore në Siri, të paktën 14 persona të vrarë
Nga sulmet ajrore në qytetin Idlib, që është nën kontrollin e kryengritësve, janë vrarë të paktën 14 persona dhe plagosur dhjetëra të tjerë. Kështu ka njoftuar Observatori sirian për të drejtat e njeriut, me seli në Londër.

Ky observator, i cili i ka vëzhguesit e vet në terren në Siri, gjatë ditës së sotme ka deklaruar se besohet se aeroplanët që bombarduan ishin të Rusisë.

Të paktën 7 sulme ajrore e kanë goditur Idlibin, përfshirë edhe një hapësirë ku gjendet Spitali Kombëtar.

Aktivistët e grupeve të tjera kanë bërë të ditur se ka të vrarë nga sulmet ajrore, por kanë dhënë shifra të ndryshme.

Komitetet lokale të koordinimit thanë se 10 vetë ishin vrarë kur u qëllua spitali, por nuk kanë pasur detaje për viktimat eventuale në pjesët e tjera të qytetit.

Mbrojtja Civile, grup që kryen operacione të shpëtimit, tha se dhjetëra vetë janë vrarë e qindra të tjerë janë plagosur.

Më 25 të këtij muaji, Rusia pat shpallur pauzë të përkohshme në fushatën e saj të sulmeve ajrore në mbështetje të regjimit të Sirisë, duke thënë se dëshiron që kryengritësve, të cilët e kanë nënshkruar armëpushimin, tu jepet mundësi t’i shkëpusin lidhjet e tyre me grupin al-Nusra, që është i ndërlidhur me al-Kaidën.

Moska ende nuk ka njoftuar se sa do të zgjasë kjo pauzë./Albeu.com/
Shtuar më 31/05/2016, ora 10:35
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori