Sulmet ajrore në Afganistan, të paktën 13 të vrarë
Sulmet ajrore në provincën veriore të Kunduzit në Afganistan kanë lënë të vrarë 13 civilë të shtunën. Lajmin e kanë bërë të ditur zyrtarët lokalë.

Trupat e personave të vrarë janë sjellur në qytetin e Kunduzit përmes një kamioni si pjesë e një proteste nga qindra civilë. Vrasjet ndodhën gjatë përleshjeve mes forcave qeveritare dhe talibanëve. Raportohet se të dyja palët kanë humbur shumë luftëtarë në këto luftime.

Gjatë vitit të kaluar është shënuar rekord i civilëve të vrarë përmes sulmeve ajrore në Afganistan, ndërsa rritje është shënuar edhe në numrin e vrasjeve përmes shpërthimeve. Këto statistika janë publikuar në muajin shkurt nga Kombet e Bashkuara.

Luftimet janë shpeshtuar në kohën kur po mbahen bisedimet për paqe. Është raportuar se në rundin e fundit të bisedimeve mes zyrtarëve amerikanë dhe talibanëve është arritur përparim për përfundimin e luftës që ka filluar para 17 vjetësh.

Forcat afgane, të mbështetura nga ushtarët e NATO-s, i kanë vrarë 58 talibanë gjatë javës që kaloi. Në mesin e të vrarëve janë edhe disa komandantë. Në anën tjetër, talibanët kanë thënë se i kanë vrarë 19 ushtarë afganë dhe pesë ushtarë të huaj, shkruan “Reuters”. /albeu.com/
Shtuar më 24/03/2019, ora 17:20
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori