Conference League, Partizani fitore të vuajtur ndaj Atletic Esclades

Partizani ka triumfuar minimalisht 0-1 ndaj Atletic Esclades në Estadi Comunal (Andorra la Vella), në sfidën e parë të turit të dytë të Conference League.

Sinjali i parë serioz i sfidës erdhi nga Mba, por vendasit shpëtuan në minutën e katërt pasi devijuan topin në goditje nga këndi. Në minutën e 22-të, Cara provoi të zgjidhte takimin me një goditje nga distanca, pa mundur dot ta konkretizojë në gol.

Depërtim i mirë i Carës në zonë në fundin e pjesës së parë, gjuajtja e tij u largua nga prapavija kundërshtare në vijën fatale, duke i hequr lojtarit mundësinë e artë për të shënuar.

Pjesa e dytë filloi në mënyrën më të mirë të mundshme për të besuarit e Zekic, pasi pas një gafe të portierit spanjoll Saul Gracia, përfitoi Christian Mba. Në minutën e 70-të, Partizani i afrohet golit të sigurisë me Da Silvan, por sfera shkoi ngjitur me shtyllën.

Vëmendja tani është te ndeshja e kthimit me 1 gusht, aty ku do vendoset edhe fati i kualifikimit për në turin e 3-të të Conference League.


Shtuar 25.07.2023 19:12