Sot do të ndodhë eklipsi i plotë i Diellit, ku do të shihet më qartë
Të martën, një eklips i plotë i Diellit do të shfaqet mbi territorin e Amerikës Jugore. Dukuria kur Hëna i bllokon rrezet e Diellit që vijnë drejt Tokës do të vërehet më së miri në disa pjesë të Argjentinës dhe të Kilit.

Sipas parashikimeve të agjencisë amerikane “NASA”, hija e këtij eklipsi do të kalojë nëpër sipërfaqen e Oqeanit Paqësor, Kilit dhe Argjentinës. Varësisht nga pozicioni gjeografik, eklipsi pritet të zgjasë më së shumti katër minuta e tre sekonda.

Eklipsi i plotë i Diellit pritet të shfaqet në qytetin La Serena të Kilit në orën 4 e 38 minuta të pasdites, për të vazhduar në rajonin e Andeve dhe për të arritur më vonë edhe në kryeqytetin e Argjentinës, Buenos Aires, rreth orës 4 e 44 minuta.

Eklipsi i 2 korrikut është eklipsi i parë i plotë i Diellit që nga vera e vitit 2017”, tha Paige Godfrey, astrofizikane që punon në një pikë vëzhguese në Kili. “Kjo ka ndodhur para dy vjetësh dhe njerëzit po flasin për eklipsin si ngjarja më e rëndësishme në jetën e tyre”, shtoi ajo.

Agjencia amerikane për studimin e hapësirës, NASA, ka bashkëpunuar me një kompani amerikane për të ofruar pamje të drejtpërdrejta të këtij eklipsi. Pamje të drejtpërdrejta do të transmetoj edhe Vëzhguesi Jugor i Evropës.
Shtuar më 02/07/2019, ora 15:07
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori