OBSH shpall ditën më të zezë nga koronavirusi

Koronavirusi i cili shpërtheu në qytetin e Wuhan në Kinë, sot ka infektuar gjithë globin.

Amerika e Jugut, India dhe Lindja e Mesme e më gjërë janë kthyer dhe në vatrat më të nxehta të infeksionit. OBSH ka theksuar se 21 qershori ka shënuar dhe kulmin e pandemisë së koronavirusit në botë, përsa i përket regjistrimit të rasteve të reja të të infektuarve, ku shumica janë regjistruar në Amerikë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), në raportin e saj thekson se në vendin e parë porsa i përket shifrave të larta të të infektuarve me koronavirus është Amerika Veriore dhe ajo Jugore.

Mediat ndërkombëtare bëjnë me dije se OBSH ka thënë se numri total i rasteve të reja në 24 orët e fundit ka arritur në 183,020, dhe më shumë se gjysma – 116,000 kanë qenë në territoret amerikane.

Në një raport më të detajuar, është kuptuar se Brazili ka raportuar më së shumti raste, 54,771, Shtetet e Bashkuara kanë qenë të dytat, 36,617, dhe India e treta me 15,400 të infektuar.

Territoret amerikane kanë regjistruar më së shumti të vdekur po ashtu, 219,000, derisa Evropa renditet e dyta me 193,000 viktima, sipas OBSH-së.

Sipas të dhënave të fundit, numri total i të prekurve nga Covid-19 ka arritur në mbi 8.9 milion, përderisa mbi 466,000 prej tyre kanë humbur betejën për jetën.


Shtuar 22.06.2020 11:09