Sistemi raketor mund te ngrihet ne Ballkan
Albeu.com
Sipas të përditshmes polake, Viborca që citon burime pranë administratës së presidentit Barak Obama, Presidenti amerikan mund të anullojë vendimin e ish Presidentit Bush për sistemin antirraketë në Evropën Lindore dhe ta ndërtoj këtë sistem në Ballkan.
Kjo gazetë polake shkruan se sinjalet vijnë nga Pentagoni dhe janë plotësisht të qarta që administrata aktuale po kërkon vende të tjera për sistemin mbrojtës antirraketë që u bë mollë sherri vitet e shkuara mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Rusisë.

Tashmë Uashingtoni po kërkon baza të tjera si në Ballkan, Izrael e Turqi, por ende nuk është vendosur. Bëhet fjalë për sistemin e interceptorëve që ishte gati për tu ngritur në Poloni dhe sistemin e radarëve në Republikën Çeke.

Sipas Riki Edison, kreu dhe themelues i Aleancës për Mbrojtjen Raketore, fokusi do të zhvendoset për këto baza. Ai shtoi se Kongresi e ka bërë të qartë se sistemi antiraketë duhet të garantojë sigurinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Europës, ndaj Pentagoni synon ti vendosë këto sisteme nga deti në tokë.

Nuk ka asnjë koment nga Uashingtoni në lidhje me këtë shkrim të gazetës polake. Është fakt se polakët dhe çekët e kanë kundërshtuar ngritjen e këtyre bazave por ish Presidenti Bush arriti marrëveshjet me liderët e këtyre vendeve dhe këto pakte u ratifikuan në parlamentet përkatëse.

Rusia gjithmonë ka kërcënuar se nëse SHBA ndërton këtë sistem antiraketë në dyert e saj edhe Rusia do të kundërpërgjigjet pasi e konsideron këtë bazë si një kërcënim për territorin e vet. (news24/albeu)
Shtuar më 27/08/2009, ora 23:32
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori