Si u vendos për sulmin në Irak
Albeu.com
Më 22 shkurt të vitit 2003, katër javë para sulmit të Irakut, Presidenti amerikan, Bush, u takua me ish-kryeministrin spanjoll, Aznar, në Teksas dhe e informoi në lidhje me situatën, duke i bërë të ditur faktin se kishte mbërritur momenti i sulmit. Më poshtë do të lexoni tekstin e plotë të bisedës mes të dy liderëve, të publikuar në të përditshmen spanjolle, "El Pais".Bush: Jemi pro një rezolute të dytë të Këshillit të Sigurimit dhe duam që ta kemi sa më shpejt të jetë e mundur. Do ta shpallim të hënën, ose të martën (24, 25 shkurt të 2003-shit).

Aznar: Më mirë të martën, pas mbledhjes së Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të Bashkimit Evropian. Është mirë të vazhdojmë të mbajmë ritmin e arritur për rezolutën gjatë takimit të Bashkimit Evropian në Bruksel të hënën (17 shkurt).

Bush: Momenti i përshtatshëm mund të jetë e hëna në mbrëmje, gjithsesi bëhet fjalë për javën e ardhshme. Rezoluta duhet të formulohet në mënyrë të tillë që të mos përmendë përdorimin e forcës dhe të konstatojë që Sadam Huseini nuk i ka respektuar detyrimet e tij. Një rezolutë e tillë do të votohej nga shumëkush.

Aznar: Rezoluta do të paraqitet në Këshillin e Sigurimit para dhe pavarësisht nga një deklaratë paralele?

Rajs: Në fakt, nuk do të ketë deklarata paralele. Po mendojmë për një rezolutë që të jetë mundësisht sa më e thjeshtë, pa shumë detaje e hollësira, të cilat Sadami mund t‘i konsideronte si kërkesa nga ana jonë, kërkesa që sigurisht nuk do t‘i respektonte. Po flasim me Bix (shefi i inspektorëve të OKB-së) dhe pjesëtarë të tjerë të ekipit të tij, në mënyrë që të vjelim idetë e duhura për formulimin e rezolutës.


Ta heqim qafe

Bush: Sadam Huseini nuk do të ndryshojë dhe do të vazhdojë të luajë. Ka ardhur momenti ta heqim qafe. Pikërisht. Unë do të përpiqem të përdor një retorikë sa më të butë të jetë e mundur, ndërkohë kërkojmë aprovimin e rezolutës. Nëse dikush do të vendosë veton (Rusia, Kina, Franca, Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe kanë të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit), ne gjithsesi do të vazhdojmë të ecim përpara. Sadami nuk po çarmatoset. Duhet ta zëmë tani. Deri tani kemi dëshmuar një durim të jashtëzakonshëm. Kanë mbetur ende dy javë, gjatë të cilave do të bëjmë përgatitjet e fundit nga ana ushtarake. Mendoj se do t‘ia dalim mbanë me rezolutën e dytë. Në Këshillin e Sigurimit kemi tri vende afrikane (Kameruni, Angola, Guinea) Kilin dhe Meksikë. Do të flas me ta, por sigurisht edhe me Putinin. Do të jemi në Bagdad në fund të marsit. Ekziston një mundësi në masën 15% që në atë datë Sadami ose të jetë vrarë, ose të ketë ikur nga pushteti. Por këto mundësi nuk ekzistojnë derisa të mos kemi rezolutën. Egjiptianët janë në kontakt me Sadamin. Nga informacionet që kemi thuhet se ndoshta ai ka rënë dakord që të largohet jashtë vendit, nëse do ta lejojnë të marrë me vete 1 miliard dollarë dhe të gjitha informacionet që dëshiron në lidhje me armët e shkatërrimit në masë. Edhe Ghedafi i ka thënë Berluskonit që Sadami kërkon të lerë vendin. Mubarak thotë se në këto rrethana ka gjasa të mëdha që Sadami të vritet.

Do të na pëlqente që të vepronim me mandatin e Kombeve të Bashkuara. Nëse do të ndërmarrim një sulm ushtarak, duhet të jemi shumë të saktë, duke u përqendruar tek objektivat tona. Do të godasim trupat besnike të Sadamit dhe kësisoj ushtria e rregullt do ta kuptojë menjëherë se çfarë po ndodh. Gjeneralëve të Sadamit u kemi çuar një mesazh të qartë: do t‘i trajtojmë si kriminelë lufte. E dimë që kanë grumbulluar sasi të mëdha dinamiti për të hedhur në erë të gjitha pikat kyçe të infrastrukturës dhe puset e naftës, ndaj një nga gjërat e para që do të bëjmë është marrja e puseve. Për këtë do të na ndihmojnë edhe sauditët. Ndërkohë jemi në përfundim të hartimit të një pakete ndihmash humanitare. Mund të fitojmë pa shkatërrime të mëdha dhe kemi nisur të projektojmë Irakun e së ardhmes, atë pa Sadamin. Iraku disponon një strukturë të mirë burokratike dhe një shoqëri civile relativisht të fortë. Në të ardhme vendi mund të organizohet në formën e një federate. Ndërkohë, po bëjmë gjithçka mundemi për të përmbushur nevojat politike të miqve dhe aleatëve tanë.

Aznar: Është rëndësishme që të bazojmë veprimet mbi aprovimin e rezolutës së OKB-së. Të veprosh pa verdiktin e rezolutës nuk është e njëjta gjë si të veprosh me të. Në përmbajtjen e rezolutës duhet të konstatohet qartë që Sadami e ka humbur rastin dhe nuk ka bërë asgjë nga sa i është kërkuar.

Bush: Po, sigurisht.

Aznar: Sadam Huseini nuk ka bashkëpunuar, nuk u çarmatos. Na duhet të bëjmë një përmbledhje të të gjitha kërkesave tona të mospërmbushura prej tij dhe të japim një mesazh më të përpunuar.

Bush: Rezoluta duhet të formulohet në mënyrë që të na ndihmojë. Përmbajtja nuk më intereson shumë.

Aznar: Do të nisim disa variante.

Bush: Ne kemi vetëm një kriter: që Sadam Huseini të çarmatoset. Nuk mund ta lemë situatën të vazhdojë kësisoj deri në verë. Tek e fundit, ka pasur në dispozicion 4 muaj.

Momenti i veprimit

Aznar: Të mërkurën e ardhshme (16 shkurt) do të takoj Shirakun. Rezoluta do të ketë nisur të qarkullojë.

Bush: Po, më se e drejtë. Shirak e njeh mjaft mirë situatën. Shërbimet sekrete ia kanë bërë të qartë. Arabët i kanë dërguar Shirakut një mesazh shumë të qartë: Sadam Huseini duhet të largohet. Problemi është se Shiraku kujton se është "Zoti Arab", por në fakt po ua vështirëson gjërat atyre. Nga ana tjetër, nuk dua të kem asnjë rivalitet me Shirakun. Kemi këndvështrime të ndryshme dhe do të doja që gjithçka të mbetej në raportet e deritanishme. Përcillini përshëndetjet e mia, sinqerisht. Sa më pak rivalitet të ekzistojë mes nesh, aq më mirë do të jetë për ne të gjithë.

Aznar: Si do të kombinohet rezoluta me raportin e inspektorëve?

Rajs: Nuk do të ketë asnjë lloj raporti më 28 shkurt, por inspektorët do ta paraqesin një raport të shkruar më 1 mars, që do të dalë para Këshillit të Sigurimit jo para 6 ose 7 marsit të 2003-shit. Nuk është se presim ndonjë gjë të madhe nga ai raport. Kam idenë se Bix do të jetë shumë më kritik ndaj irakianëve. Një javë pas raportit të inspektorëve në Këshillin e Sigurimit duhet të parashikojmë votën për rezolutën. Ndërkohë, irakianët do të kërkojnë të shpjegojnë se po përpiqen të përmbushin detyrimet, çka nuk është e vërtetë dhe nuk do të jetë e mjaftueshme edhe sikur të njoftojnë për shkatërrimin e ndonjë rakete."

Bush: Është si ajo tortura kineze me pikën e ujit. Duhet t‘i japim fund kësaj situate.

Aznar: Jam dakord, por do të ishte mirë të kontaktonim sa më shumë persona që të ishte e mundur. Ki pak durim.

Bush: Durimi më ka sosur. Mendoj që të mos shkohet përtej gjysmës së marsit.

Aznar: Nuk po të kërkoj një durim pa afat. Thjesht po të kërkoj që të bëjmë gjithçka në rregull.

Bush: Vende si Meksika, Kili, Angola, Kameruni, duhet ta dinë se bëhet fjalë për sigurinë e Shteteve të Bashkuara, ndaj duhet të veprojnë në bazë të një ndjenje miqësore ndaj nesh. Presidenti Lagos duhet ta dijë se marrëveshja e shkëmbimit të lirë të mallrave me ne ndodhet në Senat për miratim dhe një sjellje negative nga ana e Presidentit mund ta vinte në rrezik ratifikimin. Angola po merr fondet e llogarisë së mijëvjeçarit dhe gjithçka mund të ndryshonte nëse nuk do të tregoheshin pozitivë. Sa për Putinin, ai duhet ta dijë që me sjelljen e tij po i vendos marrëdhëniet SHBA-Rusi në rrezik.

Aznar: Toni do të donte të shkonim deri më 14 mars.

Bush: Unë preferoj datën 10. Është si ajo loja e policit të keq dhe atij të mirë. Për mua nuk ka shumë rëndësi që jam polici i keq, e Bleri është ai i miri.

Një kriminel lufte

Aznar: A është e vërtetë që ekziston mundësia që Sadami ta lërë vetë pushtetin e të largohet?

Bush: Po ekziston një mundësi e tillë, sikundër edhe mundësia që ai të vritet.

Aznar: Ikje me ndonjë lloj garancie?

Bush: Asnjë garanci. Është një hajdut, një terrorist, një kriminel lufte. Krahasuar me Sadamin, Millosheviçi ngjan si Nënë Tereza. Kur të futemi, do të zbulojmë krime të tjera dhe do ta çojmë para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. Sadam Huseini mendon se ia ka hedhur. Mendon se Franca dhe Gjermania e kanë ndaluar procesin. Mendon se unë jam shumë i dobësuar. Por ata që i qëndrojnë rrotull e dinë se gjërat janë krejtësisht ndryshe. Ata e dinë që e ardhmja e Sadamit është ose jashtë vendit, ose në varr. Kjo është arsyeja që duhet ta mbajmë situatën nën presion. Në mënyrë indirekte edhe Ghedafi na thotë se kjo është e vetmja mënyrë për ta zgjidhur çështjen. E vetmja strategji e Sadamit është ajo e vonesës, vonesës dhe vetëm vonesës.

Aznar: Në fakt, suksesi më i madh do të ishte ta fitonim ndeshjen pa asnjë të shtënë dhe të arrinim të hynim në Bagdad.

Bush: Për mua do të ishte zgjidhja perfekte. Unë e di se çfarë janë luftërat. E njoh shkatërrimin dhe vdekjen që ato sjellin. Unë jam ai që duhet të ngushëlloj nënat e viktimave dhe vejushat e të rënëve. Është normale që për ne kjo është zgjidhja më e mirë, pasi ndër të tjera do të na kursente edhe 50 miliardë dollarë.

Aznar: Kemi nevojë të na ndihmoni pak me opinionin publik.

Bush: Do të bëjmë gjithë sa mundemi. Të mërkurën e ardhshme do të flas për situatën në Lindjen e Mesme dhe do të propozoj një plan të ri paqeje, si dhe do të flas për armët e shkatërrimit në masë dhe për përparësitë e një shoqërie të lirë dhe më pas do ta lidh edhe me situatën në Irak, në një kontekst më të gjerë. Mbase mund t‘ju ndihmojë.

Aznar: Është një ndryshim i madh për Spanjën dhe për spanjollët. Po ndryshojmë politikën që ka ndjekur vendi në 200 vitet e fundit.

Gjykimi i historisë

Bush: Unë udhëhiqem e prirem nga sensi i përgjegjësisë historike, sikurse edhe ti. Kur pas disa vitesh do të na gjykojë historia, nuk dua që njerëzit të thotë se përse Bushi, apo Aznari, apo Bleri, nuk u treguan të përgjegjshëm. Në fund të fundit, ajo çka njerëzit duan, është të gëzojnë lirinë... Kam marrë vendimin të shkoj në Këshillin e Sigurimit. Pavarësisht divergjencave brenda administratës sime, u kam thënë bashkëpunëtorëve që duhet të punojmë së bashku me miqtë. Do të ishte fantastike të bazoheshim në një rezolutë të dytë.

Aznar: E vetmja gjë që më shqetëson te ti është optimizmi yt.

Bush: Jam optimist, pasi besoj se jam në anën e drejtë. Jam në paqe me vetveten. Na ka takuar të përballemi me një kërcënim të madh për paqen. Irritohem jashtëzakonisht kur shoh mosndjeshmërinë e evropianëve ndaj vuajtjeve që pësojnë irakianët për shkak të Sadam Huseinit. Ndoshta sepse ata kanë lëkurë të errët, janë myslimanë dhe janë larg gjeografikisht? Nuk do ta harroj kurrë atë që më tha dikur Salana: "Përse ju amerikanët mendoni se ne jemi antisemitë dhe të paaftë për të përballuar përgjegjësitë tona?" Kjo sjellje është e tmerrshme. Nga ana tjetër, me Kofi Ananin kam marrëdhënie shumë të mira.

Aznar: Ndani së bashku të njëjtat shqetësime etike.

Bush: Sa më shumë të më sulmojnë evropianët, aq më i fortë bëhem këtu në Shtetet e Bashkuara.

Aznar: Duhet të bëjmë bashkë forcën tënde me vlerësimin e evropianëve.





Materiali



Është një dokument me një interes të jashtëzakonshëm ky që "El Pais" e ka nxjerrë nga thellësitë e fshehta të arkivave diplomatike. Rëndësia është e dyfishtë. Së pari, pasi materiali i takon një ngjarjeje që ende nuk ka mbaruar dhe që ndikon jashtëzakonisht në ekuilibrat ndërkombëtarë. Për herë të parë kuptojmë se si merret vendimi për një luftë: takimi në fermën e Bushëve ndodhi të shtunën, më 22 shkurt 2003, sulmi amerikan në Irak u bë natën e 19-20 marsit. Materiale të tilla, si dialogu i mësipërm, në rastin më të mirë publikohen shumë vite pas ndodhjes së një ngjarjeje, kur një kronikë është bërë histori. Në këtë rast ndodh e kundërta. Është historia ajo që kthehet në kronikë e na ndihmon të kuptojmë shumë gjëra.

Së dyti, veçantia qëndron te materiali, që është një dialog. Të duket sikur po lexon skenarin e një shfaqjeje teatrale. Prezantohemi me dhomat ku qëndrojnë të pushtetshmit e mund të dëgjojmë pushtetarët teksa flasin mes tyre, sikurse në filmin "Dita e trembëdhjetë", që rrëfen krizën e raketave me Kubën përmes asaj çka ndodhi ato ditë në Shtëpinë e Bardhë të Kenedit. Por ai ishte veç një film, edhe pse bazuar mbi dëshmi reale dhe veç kësaj shumë vite më pas. Ndërsa dialogu i mësipërm ka një fuqi shpërthyese. Është hera e parë që mësojmë se Sadam Huseini ishte i gatshëm të shkonte në mërgim në këmbim të 1 miliard dollarëve. Teksa dëgjon bisedat, mbetesh i çuditur për mënyrën se si vendoset me qetësinë më të madhe për një luftë që kushton mijëra e mijëra jetë njerëzish nga ana e irakianëve dhe ushtarëve amerikanë njëherazi dhe të mos harrojmë edhe eksodin biblik që po ndodh në Irak. Është një mbledhje mes miqsh, mes të cilëve njëri qëndron më lart se të tjerët në "fermën" e politikës ndërkombëtare, duke imponuar skemën e tij dhe duke u kërkuar të tjerëve vetëm mbështetje dhe një konsensus sa më të gjerë që të jetë e mundur, përmes të gjitha mënyrave, madje edhe përmes kërcënimit. Bush i rendit Aznarit listën e vendeve të Këshillit të Sigurimit dhe ndaj secilit e ka gati "ilaçin" në rast se ata nuk do t‘i binden. Kështu, Kili nuk do të ketë marrëveshjen e dëshiruar me Shtetet e Bashkuara në lidhje me tregtinë e lirë, Angola do të humbasë paratë e fondit të mijëvjeçarit, e kështu me radhë. Por kërcënimet në fakt nuk patën ndonjë ndikim të madh, pasi rezoluta, ashtu sikurse dihet tashmë, mori vetëm 4 vota pro në vend të 9 votave që duheshin dhe nuk u miratua. E megjithatë në fund ai që del më mirë nga ky dokument është vetë Bushi, që demonstron një sens të fortë lidershipi falë një vetëvlerësimi të jashtëzakonshëm që ka ushqyer gjithmonë për personin e tij dhe ndërgjegjësimit se ndodhet në krye të të vetmes superfuqi botërore. Nuk i intereson shumë nëse shfaqet pozitiv, apo negativ, "polici i keq" ("Ia lë Blerit rolin e policit të mirë"), aq më pak i intereson OKB-ja dhe evropianët, ndaj të cilëve shfaq përçmim ("Sa më shumë të më sulmojnë evropianët, aq më i fuqishëm bëhem në Shtetet e Bashkuara"). Ata që shfaqen në dritë të keqe janë Bler e Berluskoni, e mbi të gjitha Aznar, tre "miqtë" që Bushi i thirri për të marrë një konsensus, të cilin ata nuk ishin të zotë t‘ia jepnin. G. Shqip
Shtuar më 30/09/2007, ora 16:24
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori