Identifikohet përdhunuesi serial “Bondi Beast” pas gati 40 vitesh

Pothuajse 40 vjet pas sulmit të tij të parë, policia australiane ka identifikuar një përdhunues serial që terrorizoi Sydneyn për tre dekada, raporton BBC.

Keith Simms shënjestroi 31 gra midis viteve 1985 dhe 2001, duke hyrë në shtëpitë e tyre ose duke i sulmuar ato ndërsa ishin jashtë duke vrapuar, thotë policia.

Detektivët fillimisht besuan se disa burra të ndryshëm ishin pas sulmeve.

Por falë teknologjisë së re të ADN-së, hetuesit tani i kanë lidhur të gjitha me Simms, i cili vdiq në moshën 66-vjeçare në shkurt.

I njohur në periudha të ndryshme si ” Bondi Beast” ose “Përdhunuesi me kostum sportiv”, Simms goditi për herë të parë në periferinë bregdetare të Clovelly në 1985. Sulmi i tij i fundit ndodhi në një varrezë aty pranë në 2001.

Çdo incident u hetua individualisht në atë kohë, por policia filloi t’i lidhte ato në vitet 2000.

ADN-ja e 12 prej viktimave ishte e njëjtë dhe 19 incidente të tjera përputheshin me mënyrën e veprimit të sulmuesit.

Gratë, të cilat ishin të moshës nga 14 deri në 55 vjeç, të gjitha dhanë përshkrime të ngjashme të sulmuesit të tyre.

Ai ishte 160-180 cm i gjatë, ishte me ngjyrw, sy kafe dhe një hundë të gjerë.

Ai e mbante fytyrën të mbuluar dhe vishte rroba të rastësishme, si tuta, kapuç apo pantallona të shkurtra futbolli. Ai ose i kërcënoi viktimat e tij me thikë, ose i bëri të besonin se kishte një të tillë mbi vete.

Në vitin 2019, hetuesit patën një përparim, duke gjetur një përputhje familjare të ADN-së në bazën e të dhënave të policisë, e cila ngushtoi grupin e të dyshuarve në 324 persona.

Në shtator, një mostër nga Simms u zbulua se ishte një përputhje e përsosur me ato të marra nga viktimat.

Raportet e mediave lokale thanë se familja dhe miqtë e kishin përshkruar Simms si një baba, gjysh dhe anëtar të komunitetit shumë të dashur.

Detektivi që ia dha lajmin familjes së Simms ka thënë se ata “nuk e kishin idenë”.

“Ne u takuam me gruan e tij dhe ajo ishte absolutisht e tronditur,” tha detektivi rreshter Shelley Johns për The Daily Telegraph.

“Ajo nuk mund të besonte se burri që njihte mund t’i kishte bërë këto gjëra.”

Hetuesit gjithashtu kanë kontaktuar me viktimat për t’i këshilluar ata që sulmuesi i tyre është identifikuar, por se për shkak të vdekjes së tij nuk mund të ndërmerren veprime të mëtejshme ligjore./albeu.com


Shtuar 22.11.2022 07:35