Si kurrë më parë, mbyllet pas 2 000 vitesh varri i Jezusit në Jeruzalem
Me një vendim të pashembullt, tri Kishat kryesore, që kujdesen për Varrin e Shenjt të Jeruzalemit, vendosën ta mbyllin për publikun Bazilikën, deri në një datë të pacaktuar, si protestë kundër kërkesës së komunës për të paguar taksa bashkiake, kundër kërkesave të vënies së taksave mbi pasuritë e patundshme, që nuk përdoren si vende kulti si dhe kundër propozimit për një ligj, që ua kufizon Kishave të drejtën e pronës, deri në shpronësim.

Rojtari i Tokës Shenjte, atë Francesco Patton, Patriku grek Theophilos III dhe Patriku armen Nourhan Manougian kanë shkruar një letër, njofton Radio Vatikani, në të cilën këtë kërkesë e quajnë “sulm sistematik i pashembullt kundër të krishterëve të Tokës Shenjte, që shkel rrjetin delikat të marrëdhënieve ndërmjet bashkësisë së krishterë dhe autoriteteve, endur gjatë dhjetëvjeçarëve”, në këtë, që quhet “shkelje flagrante e status quo-së ekzistuese”.

Komuna e Jeruzalemit kërkon 151 milion euro

Sipas njoftimit të Agjencisë Sir, komuna e Jeruzalemit kërkon një shifër prej 151 milionë eurosh, përmes taksimit të 886 pronave të Kishave dhe organizmave të OKB-së, si Agjencia për asistencën e refugjatëve palestinezë, dhe e ka dërguar tashmë kërkesën për tërheqjen e taksave të prapambetura. Kjo masë, sipas përfaqësuesve të Kishave të krishtera, vë kryesisht në rrezik familjet e varfëruara, që do të mbeten pa strehë e pa bukë, ashtu si edhe fëmijët e tyre, pa shkollë.

“Kjo fushatë sistematike e ofensive arriti në një nivel të pashembullt, pasi Komuna e Jeruzalemit lëshoi paralajmërime shkandulluese pagesash dhe nisi bllokimin e pasurive, pronave e llogarive bankare të Kishës, për borxhe të pandehura, krijuar nga taksat ndëshkuese - lexohet në letër - e këto janë veprime, që shkelin marrëveshjet ekzistuese dhe zotimet ndërkombëtare, të cilat garantojnë të drejtat e privilegjet e Kishave, në këtë që duket si provë për ta ligështuar praninë e krishterë në Jeruzalem”.

“Diskutimi i projekt-ligjit, ndërkaq, u shty për javën e ardhshme në Knesset, por, po të miratohej, do të mundësonte shtetëzimin e tokave të Kishave”. “Kjo na kujton të gjitha ligjet e ngjashme, të miratuara kundër hebrenjve, gjatë periudhave të errta të Evropës”.

Kremtimet në Varrin e Shenjtë do të mbyllen për besimtarët

“Tepria ka mrekullinë: mjaft më me persekutimin e Kishave” - lexohet në një manifest proteste para Bazilikës së Varrit Shenjt, ku liturgjitë dhe kremtimet do të vijojnë, por pa besimtarë. Kërkesa, që i drejtohet Komunes është “ta tërheqë vendimin e të sigurojë që status quo e sanksionuar nga historia kishtare, të mbetet në fuqi si dhe të mos shkelet karakteri i Qytetit Shenjt të Jeruzalemit. Jemi të vendosur e të bashkuar në qëndrimin tonë, për të mbrojtur praninë dhe pronat tona!”- shkruajnë Rojtari i Tokës Shenjte, atë Francesco Patton, Patriku grek Theophilos III dhe Patriku armen Nourhan Manougian.
Shtuar më 27/02/2018, ora 15:02

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori