Shume zonja te para per nje President
Albeu.com
Jakob Zuma, kreu i ri ishtetit në Afrikën e Jugut, njihet si një poligam i bindur. Në ceremoninë e betimit ka vend vetëm për një zonjë, të cilën Presidenti i ri duhet ta zgjedhë mes 2 bashkëshorteve zyrtare.Ndoshta nuk do të hyjë në histori si Mishel Obama, apo Karla Bruni, por në të kundërt të të dyjave, përzgjedhja e saj mund të rezultojë shumë e vështirë: kjo pasi për herë të parë në historinë e Afrikës së Jugut, përzgjedhja për zonjën e parë do të bëhet mes dy bashkëshorteve të tradicionalistit zulu, poligamit të bindur Jakob Zuma. Lideri i forcës politike të Kongresit Kombëtar Afrikan, në bazë të rezultateve të zgjedhjeve të zhvilluara të mërkurën e shkuar, tashmë është Presidenti i ri i vendit.

Fitorja bindëse e liderit të Kongresit Kombëtar Afrikan mbi opozitarët e Aleancës Demokratike, e festuar të nesërmen e ditës së zgjedhjeve me këngë e valle rrugëve të Johanesburgut, rrezikon të shkaktojë ndonjë fërkim në haremin e liderit të ri afrikanojugor. Me katër martesa, tre të fejuara zyrtare, një divorc, një vetëvrasje dhe 10 fëmijë (shto këtu edhe ndonjë tjetër të paligjshëm, shifra që do bënin të dukej naiv edhe Diego Armando Maradonën), Presidenti i ri gjendet përballë një dileme që mund t‘i shkaktojë edhe dhimbje koke.

Edhe pse poligamia është e ligjshme në Afrikën e Jugut, në ceremoninë e betimit presidencial ka hapësirë për vetëm një zonjë të parë, të cilën Zuma duhet ta zgjedhë që ditët e para të muajit të ardhshëm, mes dy bashkëshorteve zyrtare: nga njëra anë qëndron e ndrojtura dhe e rezervuara Gertrude Khumalo, me të cilën është dashuruar që në adoleshencë dhe vetëm pak muaj më parë festoi pesëdhjetëvjetorin e martesës, grua që i ka qëndruar përkrah liderit politik gjatë burgimit në Robben Island, ashtu si edhe gjatë azilit politik më pas; nga ana tjetër qëndron bukuroshja Nompumelelo Ntuli (e cila thirret me përkëdheli nga mbështetësit e Zumës, Mantuli), 34-vjeçare, e aftë t‘u përmbahet atyre kërkesave që kërkon një detyrë e tillë shtetërore dhe që tani konsiderohet si kandidatja kryesore si zonjë e parë e vendit. Dilema është: të respektohet tradita, apo t‘i jepet precedencë rinisë e gjallërisë?

Deri tani ky problem është konsideruar nga ana e Kongresit Kombëtar Afrikan si "çështje private", por brenda fillimit të majit, kur Parlamenti do t‘i veshë zyrtarisht Zumës pushtetin presidencial, dilema duhet të zgjidhet patjetër. Dhe nëse familjarët dhe miqtë e Gertrudës kërkojnë të jetë ajo e përzgjedhura duke kujtuar moshën, të shkuarën prej luftëtareje përkrah të shoqit, edhe Mantuli ruan të fshehur ndonjë as nën mëngë. Para së gjithash, dy bijtë (ndërkohë që rivalja nuk ka fëmijë) që i ka dhuruar Zumës, por edhe impenjimin e vazhdueshëm në çështje të rëndësishme shoqërore, ku për t‘u përmendur është organizimi i evenimenteve masive religjioze. Së fundmi nuk kanë munguar as shfaqjet me nota politike, të cilat shumë njerëz i shohin si prova të përgjithshme për detyrën e zonjës së parë të shtetit.

Ekziston në përgjithësi ndjesia që, pavarësisht se Zuma e ka përkufizuar Gertrudën "një bashkëshorte, mike, motër e nënë", është Mantuli favoritja për detyrën e rëndësishme, si për shkak të moshës së re, por edhe për natyrshmërinë me të cilën paraqitet para kamerave, gjë që nuk i ka pëlqyer kurrë gruas së parë, tepër e rezervuar dhe e ndrojtur në publik. Dhe, megjithëse është e martuar me Zumën vetëm prej një viti, fakti që ka qenë pikërisht Mantuli ajo që e shoqëroi Presidentin e ri gjatë fushatës së zgjedhjeve, duke u buzëqeshur fotografëve e kameramanëve, ndërkohë që Gertruda qëndronte disa kilometra larg qendrave të votimit, u jep gjithnjë e më shumë të drejtë atyre që mendojnë se përzgjedhja do bjerë mbi bashkëshorten e re. Ajo vetë, hë për hë, buzëqesh duke ia "besuar vullnetit të Zotit" zgjedhjen përfundimtare.

Megjithëse aventurat e dashurisë së Presidentit prej vitesh zënë faqet e para të gazetave e revistave, stili i tij i jetesës nuk shihet me sy shumë të mirë nga bashkatdhetarët e tij. Duke iu referuar një sondazhi të kryer para pak kohësh nga "TNS Market", mësohet se 74 për qind e popullsisë është kundër poligamisë, një praktikë e përdorur vetëm nga disa prej komuniteteve që përbëjnë këtë shtet, siç janë zulutë apo svazit. Gjithashtu konsiderohet një praktikë shumë jashtë mode për një shoqëri dinamike, siç është ajo e Afrikës së Jugut.

E që gjithsesi mbetet një shoqëri së cilës i pëlqen të tregojë kureshtje ndaj aventurave sentimentale të liderit. Nëse divorci nga gruaja e dytë, ish-ministre e Punëve të Jashtme, Nkosazana Dlamini, njihet në çdo detaj nga publiku, më pak e njohur është ajo e bashkëshortes nga Mozambiku, Keit Mantsho, e vetëvrarë në vitin 2000 nga një doze vdekjeprurëse qetësuesish, pasi i kishte dhuruar politikanit afrikanojugor pesë fëmijë.

Në një letër të shkruar përpara vetëvrasjes, Mantsho i përkufizonte 24 vitet e martesës me Zumën si "përvojën më të dhimbshme dhe më të hidhur në të gjithë jetën e saj", zinte në gojë vesin e përhershëm të të shoqit për të marrë para hua (ves ky që i ka hapur punë edhe me drejtësinë) dhe në fund e ndalonte të merrte pjesë në funeral.

Ndërkaq nuk është vetëm Presidenti i sapozgjedhur ai që ka gjëra për të fshehur: vitin e shkuar Kgalema Motlante, shefi aktual i shtetit (deri në marrjen zyrtarisht të detyrës nga ana e Zumës), në krizë bashkëshortore e i ndjekur nga zëra që flisnin për dy dashnore dhe një fëmijë të jashtëligjshëm me njërën prej tyre, nuk pranoi t‘i paraqiste shtetit një zonjë të parë zyrtare. Një precedent i cili mund t‘i vijë shumë në ndihmë Zumës, pasi edhe ky mund të vendosë të mos ia veshë këtë funksion asnjë prej dy grave të dashura.
Shtuar më 27/04/2009, ora 15:32
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori