Shtresa e borës në SHBA shkon deri në 50 centimetër
Reshjet e dëborës mbi zonën lindore dhe jugore të SHBA-së po rëndojnë akoma më shumë situatën e krijuar, pasi trashësia ka arritur në 40 deri 50 centimetra.

Zyrat qeveritare, shkollat dhe shumë biznese janë mbyllur pas stuhisë së acartë që ka përfshirë SHBA-në.

Stuhija deri tani u ka kushtuar jetën të paktën 22 personave dhe ka lënë mijëra të tjerë pa energji elektrike.

Temperaturat pritet të ngrihen para fundjavës, por do të duhen disa ditë para se të shkrihet shtresa e borës, e cila e ka vështirësuar së tepërmi qarkullimin.

Në disa zona kjo është stuhia e gjashtë për këtë sezon dimri. Në 20 shtete, nga Mejn në veri të vendit e deri në jug në Alabama, nga stuhia u anuluan qindra fluturime dhe mijëra persona kanë mbetur pa energji elektrike.

Në Uashington zyrat federale u mbyllën për të tretën herë gjatë këtij dimri. Problemet e shkaktuara nga stuhia goditën edhe autostradat kryesore të jugut.

Stuhi dëbore dhe reshje shiu të ngrirë janë fenomene të rralla në pjesën jugore të Shteteve të Bashkuara. /albeu.com/
Shtuar më 14/02/2014, ora 12:28
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori