Shtatë refugjatë mbyten në Egje, dy prej tyre fëmijë
Shtatë refugjatë, midis tyre dy fëmijë të vegjël, kanë humbur jetën në një tragjedi të re në ujërat detare të Egjeut, që ka ndodhur vetëm 4 km larg kepit Amoglosa në veri të ishullit Kos, ndërsa në zonë mbizotëronin erëra të fuqishme.

Rojet e Marinës Detare kanë gjetur mëngjesin e së mërkurës trupat pa jetë të 7 personave pranë këtij ishulli, ndërsa mësohet se varka e vogël, me të cilën udhëtonin, është përmbysur në ujërat territoriale të Turqisë.

Një nga 9 emigrantët që ndodheshin në varkë, arriti të dalë në bregun e ishullit Kos dhe të kërkojë ndihmë, ndërsa edhe një grua është shpëtuar nga trupat e Marinës turke.

Tragjedia e re ndodhi në një moment, kur Greqia ndodhet nën presionin e disa vendeve të BE-së për të forcuar kontrollin e saj në kufirin me Turqinë, por ndërkohë fluksi i emigrantëve që vijnë çdo ditë nga brigjet turke është i pandalshëm.

“Ne nuk mund t’i lëmë emigrantët të mbyten”, ishte përgjigjja e ministrit grek të Emigracionit, ndaj homologut të tij belg, që deklaroi disa orë më parë se Athina duhet t’i hidhte në det refugjatët duke i detyruar të kthehen pas, deklaratë me të cilën nuk është pajtuar qeveria e Belgjikës.

Sipas Agjencisë Europiane për Ruajtjen e Kufijve “Frontex”, Greqia ka bërë një punë shumë të mirë, por Europa është e përçarë në përballimin e krizës së refugjatëve, që ende mbetet pa zgjidhje.

Në orët e para të mëngjesit, në Portin e Pireut ka mbërritur një anije, që ka sjellë rreth 1000 refugjatë nga ishulli i Lesbosit, të cilët më vonë do t’i drejtohen korridorit ballkanik nëpërmjet kufirit me ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë. /albeu.com/
Shtuar më 27/01/2016, ora 11:57

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori