Shqiptari që ka në dorë fatin e Qeverisë në Malin e Zi
Rezultati i zgjedhjeve parlamentare në Mal të Zi tregon se as partia pro-perëndimore në pushtet dhe as aleanca rivale pro-serbe dhe pro-ruse në opozitë nuk kanë shumicën për të formuar qeverinë e re në Podgoricë.

Diferenca është shumë e ngushtë mes partisë së Gjukanoviç që qeveris vendin prej 30 vitesh dhe opozitës.

Parlamenti i Malit të Zi ka 81 deputetë. Shqiptarët pritet të kenë dy vende, nga një për secilën listë me të cilën hynë në garë.

Por duket se për fatin e qeverisë së re do të vendosë po një shqiptar, por ai nuk është në asnjë prej listave që u përfaqësuan shqiptarët në këto zgjedhje.

Lëvizjen “Ura” duket se ka në dorë fatin e qeverisë në Malin e Zi, e cila ka 4 deputetë. Ajo drejtohet nga një shqiptar Dritan Abazoviç, dhe është një parti multietnike. Në një prononcim për ABC News, Abazoviç tha se votat e tij do të bëjnë diferencën, ndërsa e cilësoi veten si “Game changer”, personi që do të bëjë edhe ndryshimin e lojës.

“Çelësi i qeverisë ka për tu varur prej koalicionit tonë. Ne s’kemi për të lejuar që të krijojnë kushte që nuk janë të mira për qyterët.

Më ka takuar si shqiptar që pas 30 vitesh të mbaj çelësin. Kam pasur shumë sulme, edhe prej partive nacionale shqiptare. Që nuk duan të pranojnë që një shqiptar mund të përfaqësojë në Malin e Zi në një nivel më të lartë.

Çelësi i qeverisë është që të krijohet qeveria eksperte, nuk ka pasur ndryshime të politikave të jashtme. Nuk ka nevojë për të pasur frikë”, u shpreh ai.

I pyetur se me kë do të negociojë për t’i dhënë kështu Malit të Zi qeverinë e re, ai tha: “Negociatat mund të bëhen vetëm ata që janë të gatshëm të bëjnë sistemin e qeverisë së ekspertëve”.

Në këto votime vendoset edhe e ardhmja politike e Presidentit Milo Gjukanoviç. Ai udhëhoqi Partinë Demokrate të Socialistëve (DPS), e cila ka qeverisur Malin e Zi që nga fillimi i shpërbërjes së Jugosllavisë federale në vitin 1990, si dhe përgjatë shpërbërjes së unionit me Serbinë në vitin 2006.

Zoti Gjukanoviç, një pro-perëndimor i vendosur, ka drejtuar përpjekjet ende në vazhdim të Malit të Zi për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, si dhe luajti rol të rëndësishëm për anëtarësimin në NATO në vitin 2017.

DPS-ja përballej në këto zgjedhje me aleancën “Për të Ardhmen e Malit të Zi”, të përbërë kryesisht nga parti nacionaliste serbe që dëshirojnë marrëdhënie më të afërta me Serbinë dhe Rusinë.

E udhëhequr nga profesori Zdravko Krivokapic, aleanca mbështetet nga Kisha Ortodokse Serbe me influencë, e cila organizon protesta të përditshme kundër një ligji të miratuar dhjetorin e kaluar që i lejon shtetit të konfiskojë pronat fetare, për të cilat nuk mund të provohet pronësia historike.
Shtuar më 31/08/2020, ora 12:22

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori