Shpërthen automjeti mes civilëve, 51 viktima në Siri
Shpërthimi i një automjeti u ka marrë jetën të paktën 51 personave në fshatin e kontrolluar prej rebelëve pranë al-Bab në Siri.

Lajmi është bërë i ditur nga burime në rajon, si dhe organizata monitoruese.

Shpërthimi, i marrë përsipër nga militantët e të ashtuquajturit “Shteti Islamik”, shkatërroi një postbllok të rebelëve në Sousian, sipas Observatorit sirian për të Drejtat e Njeriut, një grup mbikëqyrës i luftës civile në Siri me seli në Londër.

Fshati është 8 km në veriperëndim të al-Babit, qytet nga ku rebelët e mbështetur nga Turqia zmbrapsën militantët e ISIS-it gjatë së enjtes.

Turqia thotë se rebelët kanë tashmë nën kontroll të gjitha rajonet përreth.

“Aktivitetet që vazhdojnë janë ato të pastrimit të zonave nën kontrollin e rebelëve nga pengesat, minat dhe eksplozivët artizanalë”, thanë zyrtarë të ushtrisë siriane.

Në momentin e shpërthimit të bombës, shumë civilë ishin mbledhur aty për të kërkuar leje për rikthimin në al-Bab, sipas agjencisë së lajmeve e opozitës, “Qasioun”.

I ndodhur në verilindje të Aleppos, al-Babi ka rreth 100 mijë banorë në qendër dhe rreth 50 mijë të tjerë në periferi.

Ai ra në duart e rebelëve sirianë në pranverën e vitit 2012, por që prej fillimit të vitit 2014 ka qenë nën kontrollin e ISIS, duke u bërë kështu strehë e qindra xhihadistëve të huaj dhe familjarëve të tyre. /albeu.com/
Shtuar më 24/02/2017, ora 20:20

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori