Shpërthen një depo armësh në Indi, 17 të vdekur
Të paktën 17 ushtarë indianë kanë humbur jetën si pasojë e një zjarri masiv në një depo armësh në shtetin perëndimor të Maharashtrës.

Zyrtarë të ushtrisë kanë deklaruar se zjarri në depon pranë qytetit Nagpur shkaktoi një seri shpërthimesh, duke bërë të nevojshëm evakuimin e banorëve nga fshatrat rreth bazës.

Zjarrfikësit me këtë rast po përpiqen që të shuajnë zjarrin, i cili shkaktoi gjithashtu edhe 19 të plagosur.

Ndërkohë sipas mediave botërore dy prej viktimave janë oficerë.
Shkaku i zjarrit nuk është bërë ende i ditur, por jo zyrtarisht, ushtria indiane ka përjashtuar mundësinë e një akti terrorist.

Zjarri shpërtheu të martën në mëngjes dhe u përhap me shpejtësi në depon e armëve.

Mediat lokale raportojnë se mbi 1000 civilë u evakuuan nga zona rreth bazës, ndërsa predhat fluturonin në të gjitha drejtimet.

Incidente të tilla, fatkeqësisht nuk janë të rralla në depot e armëve në Indi, ku siguria është kritikuar shpesh.
Në vitin 2010, një zjarr në një prej depove më të mëdha të armëve në Panagar shkaktoi shumë shpërthime municionesh, por përfundoi pa viktima.

Në vitin 2007, një tjetër zjarr në një depo armësh në zonën Anantang në Kashmir bëri të detyrueshëm evakuimin e mijëra njerëzve, pasi predhat e ndezura nga zjarri binin si breshër mbi zonat e banuara./Albeu.com/
Shtuar më 31/05/2016, ora 11:32

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori