Cannavaro parashikon finalen Juve-Napoli

E kush më mirë se Fabio Cannavaro mund të bënte një prognozë të finales së Kupës së Italisë, mes Juventusit dhe Napolit, që do të luhet nesër në mbrëmje në “Olimpico”. Kampioni i botës më 2006, fitues edhe i “Topit të Artë” atë vit, gjatë karrierës së tij ka veshur fanellën e të dyja skuadrave. Fabio do të ulet në një kolltuk, do të vërë orën në alarm dhe pastaj do të “gozhdohet” para ekranit të televizorit në Kinë për të parë… të kaluarën e vetvetes.

Më saktësisht, do t’i kujtohen 68 ndeshjet e tij me Napolin dhe 128 të tilla me Juventusin. Pra, se me kë do të bëjë tifo duket mision i vështirë në letër, edhe pse tek ai predominojnë “rrënjët”. Në një rrëfim ekskluziv për “Corriere dello Sport”, ish-mbrojtësi i shquar italian, aktualisht trajner në Kinë, do të shprehej mes të tjerash: “Një finale shoqërohet gjithmonë nga emocionet. Shumë keq që nuk ka tifozë, pasi futbolli luhet për ata. Shpresoj që së shpejti rreziku i pandemisë të kalojë, që stadiumet të rihapen, normaliteti të kthehet plotësisht.

Finalja u takon atyre që i pushtojnë. Për këtë arsye, iu takon dy klubeve, trajnerëve dhe lojtarëve. Unë do ta përjetoj finalen e nesërme të Kupës së Italisë me pjesëmarrje shpirtërore, natyrisht. Është e tepërt t’i nënvizoj arsyet përse. Për kë do të bëj tifo? Nuk kam më moshën për të brohoritur, megjithatë është e qartë që, nëse një ekip i qytetit tim luan në fushë dhe trajner i tij është Gattuso, atëherë kam vetëm një kënaqësi: të fitojnë ato. Gjithashtu, ngaqë mendoj se Rino e meriton ta shijojë një trofe të tillë tani. Ne kemi përjetuar së bashku atë mbrëmje magjike në Berlin, në Botërorin 2006, por ktualisht është një kohë e veçantë për të.

Jemi miq dhe unë mund ta imagjinoj se sa vuan nga humbja e motrës. Dhimbja ka edhe lotë, por ai është i fortë, ka karakter. Ai e ka treguar gjithmonë sa luftëtar është, si futbollist dhe madje tani si trajner. Gattuso kundër Sarrit? Ata janë burra, që kanë histori të ndryshme. Dhe janë të pakrahasueshëm. Ato iu përkasin brezave të largët, gjithashtu kanë ide të ndryshme. Por, të dy janë shumë të mirë në realizimin e filozofive të tyre. Nuk e kuptova pse Milani nuk e konfirmoi Rino. Ai tregoi njohuri, përvojë, seriozitet dhe ndjeshmëri”.


Shtuar 16.06.2020 15:39