Cilat objektiva nuk arriti Gledis Nano? Ministri Çuçi: Riktheu fenomenet që kishim zhdukur

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi renditi në “Top Story” arsyet e shkarkimit të ish-drejtorit të përgjithshëm të policisë, Gledis Nano.

Në studio me Sokol Ballën, Çuçi tha se Nano nuk pati ritimin e duhur dhe nuk arriti ta çonte para reformimin e Policisë së Shtetit. Lidhur me kriminalistikën, ministri  theksoi se ka çaluar puna sa i përket zbulimit të autorëve të vrasjeve.

“Drejtori i Policisë ndryshohet se nuk ka ritmin e duhur, ne duhet të ecim më shpejt, por kjo nuk do të thotë që kemi dështuar në atë që kemi bërë. Drejtori do ndërrohet ku demonstron se nuk mund ta çojë para reformimin e Policisë së Shtetit. Rama tha se megjithëse statistikat e vrasjeve janë më mirë se dhe një vit më përpara, situatën e rëndon mënyra si janë ekzekutuar dhe si janë bërë disa vrasje. Zbulimi i autorëve të vrasjes, puna ka çaluar në kuptimin e objektivave. Duhet të realizonte objektivat që i kishim vënë”- tha Çuçi.

Ministri theksoi se spunton finale për shkarkimin e tij e dhanë ngjarjet e ndodhura gjatë muajve të verës, korrikut e gushtit dhe Nanos i mungoi lidershipi.

Tjetër arsye sipas Çuçit, është se nën drejtimin e Nanos, janë rikthyer disa fenomene të zhdukura më parë, si kultivimi i lënëve narkotike në fusha të hapura apo transportimi i drogës drejt Italisë.

“Spunton finale e dhanë ngjarjet e muajve të fundit, gushtit dhe Korrik. Ka të bëjë me një sërë gjërash. Ne analizojmë lidershipin e tij, jo statistikat. Një nga gjërat që ndikon drejtpërdrejt në lidhje sesi janë vrarë, ka të bëjë ,me reformimin e policisë kriminale. Këtu i ka munguar lidershipi. Tek lidershipi tek lufta kundër kanabisit. Nëse 2021 nuk bëhej fjalë që të gjendeshin parcela në fushë, këtë vit ka pasur disa raste. S’kemi pasur as transportim te kanabisit ne Itali në 2021, këtë vit pati një tentativë. Pas ndjekjes që i bënë forcat tona, ai skaf u kthye në Shqipëri dhe i humbi gjurmët. Ka munguar performacna e drejtorit që ka bërë që të kthehen disa fenomene, që ishin zhdukur”- tha Çuçi.

I pyetur nga Sokol Balla për deklaratën se Gledis Nano është në hetim, ministri Brendshëm e mohoi.

“Nuk thashë që është nënë hetim.. Kur gazetarja tha si do e  komentoni deklaratën e Drejtorit të Policsë që ka pasur rrjedhje të informacionit, i thashë e para pse më pyesni mua, por ato do hetohen dhe do të pyetet drejtorit i policisë se çfarë informacioni ka ai për ato”- tha Çuçi.

Sokol Balla: Ka pasur një ftohje mes jush?

“Unë pozicionin tim publik nuk e ngatërroj me emocione ftohje ngrohje, unë jam shumë korrekt, komunikojmë përmes performancës, detyrave që ia ngarkojmë njëri-tjetrit. Unë s’kam qenë kurrë i ngrohur me këtë përcaktim që mund t’i bëni. Unë jam munduar që të krijoj një profil që i qëndroj larg policisë, kur ti i qëndron larg nuk ka se si krijon tension, unë nuk ndikohem nga emocionet, nuk mund të flitet për ftoje apo ngrohje”, tha ministri./tch


Shtuar 8.09.2022 22:34