Sheva le futbollin, aleancë me Tymoshenkon
Sulmuesi legjendar i Ukrainës, Andriy Shevchenko, var këpucët në gozhdë dhe tërhiqet nga futbolli, për të nisur një rrugë të re, atë të politikës.

Përpara zgjedhjeve parlamentare të tetorit, 35-vjeçari Shevchenko, i cili shënoi 48 gola në 111 ndeshje për vendin e tij, i është bashkuar partisë "Përpara –Ukraina”, një parti e formuar nga politikanët e përjashtuar nga koalicioni kryesor i opozitës, që udhëhiqet nga Julia Tymoshenko.

Tashmë dhe në faqet zyrtare të ish klubeve ku Shevcenko ka luajtur, si Dinamo Kiev, AC Milan dhe Fc Chelsea, ai rezulton një ish-lojtar.

"Unë dua të përmbush veten në politikë dhe të ndaj përvojën e fituar në Evropë, për të bërë diçka për vendin tim dhe jam bashkuar me këtë parti, pasi ajo i përket liderëve të së ardhmes", është shprehur ai gjatë një vizite, në një shkollë verore për fëmijë në jug të Ukrainës.

Shevchenko, i cili ka filluar karrierën e tij me Dinamo Kiev, ka bërë paraqitjen e tij të fundit me ekipin kombëtar ukrainas në Euro 2012. Vendi i tij së bashku më Poloninë ishin mikpritës të kampionatit Europian.

Ai nuk është sportisti i parë ukrainas që pasi mbyll karrierën si sportist i përkushtohet politikës.

Boksieri i peshave të rënda, Vitali Klitschko, ka tashmë partinë e tij politike - "Aleanca Demokratike Ukrainase për Reform" - dhe pritet të jetë një konkurrent serioz në zgjedhjet e tetorit. /albeu.com/
Shtuar më 12/08/2012, ora 11:12

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori