Shesheli u shkruan serbeve te Kosoves
Albeu.com
Lideri i Radikalëve të Serbisë, Vojisllav Sheshel, edhe pse gjendet në burgun e Tribunalit të Hagës, ku është duke u gjykuar për krime lufte të kryera në Kroaci dhe Bosnjë, ka gjetur ...... kohë për t’u shkruar letër “vëllezërve dhe motrave serbe” në Kosovë, në të cilën u premton, ndër të tjera, pastrimin e asaj pjesë të Kosovës nga shqiptarët përmes blerjes së pronave.

“Vëllezër serbë dhe motra serbe,
Të nderuar qytetarë të Mitrovicës së Kosovës,

Në komunën Mitrovica e Kosovës më 30 maj mbahen zgjedhjet lokale. Ju në zgjedhjet e fundit, ashtu sikur edhe shumë herë të tjera, keni treguar një besim të madh për Partinë Radikale Serbe dhe falë mbështetjes suaj Partia Radikale Serbe ka fituar njëmbëdhjetë mandate në Mitrovicën e Kosovës.
Na kanë penguar në çdo hap dhe në fund duke e formuar organin e parakohshëm na kanë pamundësuar që të respektojmë vullnetin tuaj dhe të përmbushim premtimet tona. Këtë do ta bëjmë nëse na e jepni sërish besimin.
Unë dhe ju kuptohemi më së miri. Edhe ju e edhe unë kemi qenë për shumë vjet në paraburgim. Unë në kazamatin e Hagës, e ju në shtetin tuaj. Në shtetin, i cili nuk është i vetëdijshëm se ju jeni faktikisht në mbrojtje të atdheut, çdo ditë të përballur me terrorin e terroristëve shqiptarë dhe të përfaqësuesve të fuqive perëndimore të mishëruar në EULEX, instalimi i të cilit në Kosovë dhe Metohi është mbështetur nga regjimi në Beograd. Në rrethana të tilla ju keni nevojë për një qeveri lokale të drejtë dhe të përgjegjshme. Jam i bindur se në listën e Partisë Radikale do t`i njihni njerëzit të cilëve do t`u besoni në këto zgjedhje, ndërsa unë mund t’ju garantoj se me realizimin e programit të Partisë Radikale Serbe në Mitrovicën e Kosovës ata do ta arsyetojnë besimin tuaj.
Prioritetet e Partisë Radikale Serbe janë që në mënyrë ligjore të mundësojë investimin në komunën tuaj, që të krijohet një ambient i përshtatshëm për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla e të mesme, dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Ne e dimë se kjo është e vetmja mënyrë që ju të mbijetoni dhe që edhe më tutje, me mosbindje dhe heroikisht, t’ua dëshmoni fuqive perëndimore se Kosova dhe Metohia është pjesë përbërëse e Serbisë.
Nëse na e jepni besimin, ne do të bëjmë gjithë atë që mundemi për të përmirësuar pozitën e fëmijëve dhe të rinjve, nxënësve dhe studentëve, punëtorëve, fshatarëve, pensionistëve dhe invalidëve, e sidomos invalidëve ushtarakë të cilët në luftërat e fundit atdhetare me guxim luftuan për lirinë e popullit serb. Do t’u ndihmojmë qytetarëve më të kërcënuar nga situata sociale. Me mjetet e dedikuara për ndërtime banesash do të ndërtojmë sa më shumë apartamente, do t’u ndajmë në mënyrë të drejtë familjeve që realisht janë më të kërcënuarat dhe madje në marrëveshje me ju. Do të vazhdojmë blerjen e pronave të braktisura shqiptare dhe kështu të zgjerojmë ndikimin e pushtetit të zgjedhur në mënyrë legale. Gjithçka do ta bëjmë publikisht, zyrtarët tanë të ardhshëm nuk do t’i manipulojnë tenderët dhe nuk do të pasurohen në llogarinë tuaj. Do të vazhdojmë ndërtimin e infrastrukturës komunale ashtu që, sa të jetë e mundur, të përmirësojmë kualitetin e jetesës në komunën tuaj.
Në këto zgjedhje shumëkush do t’ju bëjë premtime të rrejshme, shumëkush do t’ju fyejë dinjitetin dhe do t’ju ofrojë dhurata, e para për votën tuaj, për shkak se ata çajnë kokën vetëm për pushtet dhe interesat e tyre personale. Radikalët serbë as nuk do t’ju gënjejnë, as nuk do ta blejnë besimin tuaj, për shkak se qëllimet tona janë të ndershme, sepse jemi të gatshëm që pas këtyre zgjedhjeve të marrim përgjegjësinë për punën e vetëqeverisjes lokale, e cila do t’u nënshtrohet interesave të të gjithë qytetarëve.
Bersimin tuaj do ta kërkojnë edhe përfaqësuesit e partive të regjimit, të cilat në Kosovë e Metohi i përfaqëson ministri Bogdanoviq, i cili ka qenë ministër në qeverinë e parë jolegale shqiptare. Vota për këta do të ishte votë për EULEX-in dhe suspendimin e Rezolutës 1244.
Në këto zgjedhje besimin tuaj do ta kërkojë edhe partia e krijuar nga Stanko Subotiqi Cane dhe Milo Gjukanoviqi, partia tradhtare e Tomislav Nikoliqit dhe Aleksandër Vuçiqit. Vota për këtë parti është votë për koalicionin e mafiozëve, kriminelëve dhe tajkunëve.
Për këtë arsye u bëj thirrje të gjithë qytetarëve patriotë të Mitrovicës së Kosovës, të gjithë radikalëve serbë dhe të gjithë atyre të cilët të mashtruar dhe të gënjyer janë nisur në rrugën e gabuar të partisë tajkune të Nikoliqit, që besimin e tyre më 30 maj t’ia japin Partisë Radikale Serbe dhe listës së saj zgjedhore “Partia Radikale Serbe – dr. Vojislav Sheshel”, dhe që në fletëvotim të rrethojnë numrin 8. Votoni për njerëzit e ndershëm që politikën nuk e bëjnë sot për nesër, për të cilët fytyra nuk ka çmim dhe për të cilët Serbia është para së gjithash.

Rroftë Serbia e Madhe!
Rroftë Partia Radikale Serbe!
Dr. Vojislav Sheshel
Hagë, 15 maj 2010”
Shtuar më 25/05/2010, ora 10:25
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori