Sherr mes Shqipërisë e Maqedonisë për Nënë Terezën
Shqipëria dhe Maqedoni "po grinden" se cilit shtet i përket Nënë Tereza, ndërkohë që Vatikani po bën Shenjtërimin e saj.

Gonxhe Bojaxhiu lindi në vitin 1910 në Shkup në një familje shqiptare me nënë nga Kosova.

Debati qëndron tek rrënjët e babait të Nënë Terezës. Shumica e njerëzve, sidomos në Shqipëri, thonë se ai kishte etni shqiptare, edhe pse disa maqedonas argumentojnë se ai ishte me origjinë vllahe, një grup tjetër etnik në Ballkan, shkruan AFP.

Dy vendet, Shqipëria dhe Maqedonia kanë statuja, rrugë, spitale e monumente të tjera me emrin e Nënë Terezës, humanistes që ka fituar çmimin Nobel.

"Nënë Tereza ka lindur në Shkup, por ajo kurrë nuk e quajti veten një maqedonase", ka thënë historiani Moikom Zeqo për AFP.
Ndërsa maqedonasit thonë se vendlindja e saj është gjëja më e rëndësishme.

"Ne e quajmë qytetare të Shkupit, sepse ne e dimë që ajo na përket ne", tha drejtoresha e komisionit kombëtar për marrëdhëniet me bashkësitë fetare në Maqedoni Valentina Bozhinovska.

Por çfarë thoshte Nënë Tereza?

"Me gjak jam shqiptare. Me nënshtetësi, indiane. Nga besimi jam murgeshë katolike. Nga thirrja i përkas botës. Me zemër i përkas plotësisht Zemrës së Krishtit", shkruante ajo.

Kur Shqipëria kërkoi eshtrat e saj, Delhi refuzoi kategorikisht këtë kërkesë dhe iu përgjigj duke i thënë që misionarja "po prehet në vendin e saj, në tokën e saj"./albeu.com/

Shtuar më 04/09/2016, ora 13:01

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori