Shënohet 4 vjetori i tragjedisë së 11 shtatorit
Albeu.com
Katër vjet më parë, Nju Jorku dhe Uashingtoni pësuan tragjedinë më të rëndë në SHBA, vrasjen e tre mijë qytetarëve nga sulmet terroriste me përplasjen e dy aeroplanëve mbi Kullat Binjake në Manhatan dhe një tjetri mbi kompleksin e Pentagonit në Uashington.Në Manhatan, në vendin ku ngriheshin Kullat Binjake, të afërmit e viktimave do të marrin pjesë në një miting përkujtimor ku do të lexohen emrat e qytetarëve të vrarë. Në Pikën Zero do të ndërtohet një kompleks i madh ku midis të tjerash do të jetë një qendër kulturore dhe një memorial për viktimat. Projekti është ende objekt debatesh midis banorëve të Nju jorkut, familjeve të viktimave, arkitektëve, kryetarit të bashkisë së qytetit dhe investitorëve lidhur me formën dhe përmbajtjen që do të ketë kompleksi i "Kullave të Lirisë" si dhe lidhur me rreziqet nga sulme të mundshme terroriste. Në Uashington do të organizohet një marshim përkujtimor prej tre kilometrash, i cili do të fillojë me vendosjen e një kurore në varrezat kombëtare të Arlingtonit dhe do të përfundojë me një koncert përkujtimor. Në një fjalim javor në radio presidenti amerikan Xhorxh Bush iu referua shpirtit të Amerikës katër vjet pas sulmeve të 11 shtatorit. "Tani pas katër vjetësht amerikanët kujtojnë frikën, pasigurinë dhe konfuzionin e atij mëngjesi të tmershëm, por mbi të gjitha ne kujtojmë vendosmërinë e kombit tonë për të mbrojtur lirinë tonë, për të ringritur një qytet të plagosur dhe për t'u kujdesur për fqinjët tanë në nevojë," tha ai. "Sot Amerika përballet me një fatkeqësi tjetër që ka shkaktuar shkatërrime dhe humbje jete, këtë herë shkatërrimi nuk erdhi nga keqdashësia e njerëzve të këqinj, por nga furia e ujit dhe erës," tha zoti Bush në fjalimin e tij të përjavshëm radiofonik. BBC
Shtuar më 11/09/2005, ora 23:01
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori