Vonesa dhe probleme me pajisjet e identifikimit, në Kavajë e Lushnjë s’ka nisur ende procesi i votimit

Në Lushnjë dhe Kavajë nuk ka nisur ende procesi i votimit, pasi nuk funksionojnë pajisjet e identifikimit elektronik. KQZ nuk ka dërguar zarfet me kodet e funksionimit të tyre.

Gjithashtu problem dhe vonesa ka edhe në disa qendra votimi në Fier. Në disa prej qendrave të votimit ende nuk ka filluar procesi i votimit, ndonëse qytetarët janë paraqitur për të votuar.
Shkak është bërë mungesa e komisionerëve të Partisë Demokratike. Në qendrën e votimit numër 302 nuk ka mbërritur ende sekretari.

Në Korçë ka shfaqur problem e pajisja e identifikimit Biometrik ‘PEI. Operatorët përgjegjës po mbajnë aktualisht kontakt me KQZ-në për riparimin e defektit. Ndërkohë për shkak të kësaj problematike nuk është ndaluar procesi, por po vazhdon manualisht me listë, gjithsesi procedura e votimit po vonohet.

Shqipëria voton sot për zgjedhjet lokale. Në orën 07:00 deri më 19:00, shqiptarët do i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryebashiakët e rinj.

144 kandidatë garojnë sot për kryetarë bashkie. Në 44 bashki do të garojnë nga dy kandidatë, në 14 bashki do të jenë nga 3 kandidatë, ndërsa në Sarandë do të jenë 4 kandidatë. Gjithashtu sot votohet edhe për 61 Këshillat bashkiakë, ku konkurrojnë 40 parti dhe koalicione. Ndërsa për 1603 pozicionet e anëtarit të parlamenteve vendore, janë regjistruar rreth 23 mijë e 700 kandidatë, përfshirë 10 të pavarur./albeu.com/