Deputeti ukrainas i lutet Putinit: Hidh bombën atomike, atëherë do të na respektojë Perëndimi

Një luftë në shkallë të gjerë, përfshi edhe atë bërthamore, duket se është më pranë se kurrë.

Kjo pas kërkesave që i drejtohen Putinit nga njerëzit e tij të afërt, për të përdorur armët atomike kundër perëndimit.

Ilya Kiva, deri pak muaj më parë, kishte një vend në Parlamentin e Kievit. Por sot ai në një postim në rrjetet sociale postoi fotografinë e “kërpudhës” atomike, me lutjen ndaj Vladimir Putin që të përdorë armët bërthamore taktike, pikërisht ndaj vendit të tij, ose të paktën atë që ka përfaqësuar.

Mbetet vepra e një ekstremisti të papërgjegjshëm, i një personi që është deklaruar tashmë si tradhtar dhe fshihet diku në Federatën Ruse, por pozicioni përtej çdo imagjinate i Kivës lë pa fjalë, po të mendosh se ky personazh në 2019 mbante postin e këshilltarit të ministrit të brendshëm Arsen Avakov.

“Mos harroni, ata janë të frikësuar dhe respektojnë vetëm fuqinë. Kjo armë mund t’ i japë fund ballafaqimit të sotëm, jo vetëm me autoritetet ukrainase, por me të gjithë Perëndimin që tashmë merr pjesë në konflikt në mënyrë të hapur.

Në qoftë se dikush mund të mendojë se kjo nuk është brenda rregullave të lojës, kujtoni se është perëndimi që i ka shkruar këto rregulla sipas interesit dhe me objektivin e vetëm për të na shkatërruar”, shkruan Kiva në mesazhin e tij delirant, por jo pa mbështetës.

I lindur në Poltava, në Ukrainën qendrore, Kiva ka një të kaluar si mekanik dhe psikolog, ndërkohë që karrierën politike e filloi në 2014 kur ishte pjesë e forcave të policisë.

Ai ishte pjese e një lëvizje e ekstremit të djathtë që i mundësoi ngjitjen në hierarki nga qeveria vendore e Doneck deri në pushtetin qendror të Kievit.

I zgjedhur në Parlament në 2019, me partinë e oligarkut pro rus Viktor Medvedchuk, miku i Putin tashmë në burg, Kiva u dëbua në shkurt nga parlamenti dhe u dënua në mungesë për tradhti, për pozicionin pro agresionit rus, i justifikuar për shkak të qeverisë naziste që sipas tij po qeveriste vendin, retorike kjo e përdorur nga vetë Putin si justifikim për sulmin.