SHBA, vazhdon ngërçi politik në Kongres
Në ditën e katërt të mbylljes së pjesshme të qeverisë amerikane, udhëheqësi republikan i Dhomës së Përfaqësuesve u shpreh dje me tone të forta. Më parë ishte folur se ai mund t’u kundërvihej anëtarëve të partisët së tij për të mos lejuar skadimin e afatit për rritjen e tavanit të borxhit. Ndërkaq, Presidenti dhe nënpresidenti ishin në një lokal të Uashingtonit që po u ofron çmime të reduktuara zyrtarëve të pezulluar nga mbyllja e qeverisë, shkruan Zëri i Amerikës.


Rreth 800 mijë punonjës qeveritarë janë pezulluar dhe ata që punojnë nuk pritet të paguhen në kohë. Presidenti Obama ishte dje për vizitë në një lokal pranë Shtëpisë së Bardhë:

"Aktualisht ky lokal ofron zbritje 10 për qind për të gjithë punonjësit qeveritarë që janë pezulluar nga puna. Biles u japin edhe një biskotë falas”.

Presidenti Obama përsëriti thirrjet drejtuar republikanëve të Dhomës së Përfaqësuesve të lejojnë hedhjen në votë të projekt-ligjit për financimin e qeverisë, duke thënë se është i gatshëm të negociojë, për sa kohë që ata nuk u vënë “revolen në kokë” amerikanëve.

Para Kapitolit, ligjvënësit demokratë u takuan me anëtarë të sindikatave të punonjësve qeveritarë që po protestonin ndaj qëndrimit të republikanëve të cilët nuk lejojnë hedhjen në vote të një projekt-ligji të pastër për financimin e qeverisë. Udhëheqësja e grupit të ligjvënësve afrikano-amerikanë Marcia Fudge i përcolli një mesazh Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve John Boehner:

"Kujt i trembeni zoti Boehner? Përse nuk paraqisni një projekt-ligj të pastër për t’u hedhur në votë? Doja t’ju pyesja, nëse dini se jeni Kryteari i Dhomës së Përfaqësuesve?”

Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve u takuan dje dhe udhëheqësit e tyre dolën nga takimi duke përsëritur mesazhin se besojnë që programi për kujdesin shëndetësor është i padrejtë për amerikanët dhe duhet të ndryshohet. /albeu.com/
Shtuar më 05/10/2013, ora 13:07
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori