SHBA-të kërkojnë zgjidhje paqësore për Korenë e Veriut
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis, theksoi sot nga kryeqyteti i Indisë, Nju Delhi, se Shtetet e Bashkuara kërkojnë një zgjidhje paqësore për tensionet në rritje me Korenë e Veriut.

Ndërkaq, Shtëpia e Bardhë tha se Shtetet e Bashkuara nuk janë në gjendje lufte me Penianin.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë i konsideroi gjithashtu absurde deklaratat e kryediplomatit koreanoverior.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë minimizoi rëndësinë e kërcënimit që bëri Korea e Veriut për të rrëzuar avionët ushtarakë që fluturojnë mbi ujërat ndërkombëtare.

“Është e papranueshme që një vend të rrëzojë avionët e një vendi tjetër ndërsa fluturojnë mbi ujërat ndërkombëtare. Objektivi ynë mbetet i njëjti. Ne kërkojmë të arrijmë një çnuklearizim paqësor të Gadishullit Korean. Ky është fokusi ynë dhe po veprojmë nëpërmjet presionit maksimal ekonomik dhe diplomatik”, tha Sarah Huckabee, sekretare e shtypit e Shtëpisë së Bardhë.

Ministri i Jashtëm i Koresë së Veriut tha se vendi i tij e konsideron një deklaratë lufte mesazhin në Twitter të Presidentit Donald Trump se regjimi i Penianit “nuk do të ekzistojë për shumë kohë” nëse Korea e Veriut vë në jetë kërcënimet që bën./VOA/
Shtuar më 26/09/2017, ora 20:08
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori