SHBA shënon rekord viktimash nga koronavirusi
Koronavirusi vijon të përhapet me ritme të shpejta në SHBA. Mësohet se në 24 orët e fundit kanë humbur jetën 2,733 persona, ndërsa 200,000 janë infektuar me COVID-19.

Ndërkohë, mbi 100,000 persona të infektuar janë shtruar në spitale, rekord që është duke shtuar presionin ndaj punëtorëve për kujdes shëndetësor.

Mjeku, Robert Redfield, udhëheqës i Qendrës për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, ka parashikuar më 2 dhjetor se më e keqja nuk ka ndodhur ende.

“Realiteti është se dhjetori, janari dhe shkurti do të jenë periudha të vështira. Unë në fakt besoj se ato do të jenë kohërat më të vështira në historinë e shëndetit publik të këtij kombi”, ka thënë Redfield gjatë një bisede me Fondacionin amerikan të Tregtisë.

Ai ka paralajmëruar se numri i të vdekurve në SHBA deri në muajin shkurt mund të arrijë në 450,000, në krahasim me 273,000 viktima që janë regjistruar deri më tani.

Përkeqësimi i numrit të të infektuarve ka ardhur pas fundjavës që shënoi Festën e Falendërimeve, kur miliona amerikanë kanë anashkaluar paralajmërimet për të shmangur udhëtimet dhe organizimet e mëdha.

Periudha e festave pritet të rëndojë edhe më shumë situatën sipas zyrtarëve shëndetësorë, duke përmendur Festën e Krishtlindjes dhe atë të Vitit të Ri.




Shtuar më 03/12/2020, ora 09:53

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori