SHBA, përkujtim dhe frikë
Në Shtetet e Bashkuara, kanë nisur ceremonitë përkujtimore në 10 vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, në New York, Washington dhe Pensilvani. Pas paralajmërimeve për një sulm të mundshëm të Al Kaedës, masat e sigurisë janë shtuar në maksimum. Tre persona janë shpallur në kërkim në Washington dhe në pjesën tjetër të vendit, të dyshuar si pjesëtarë të një celule të rrjetit terrorist, e gatshme të realizojë një tjetër atentat të bujshëm.

Në fjalimin e tij radiofonik të së shtunës, presidenti Obama kërkoi të theksonte se 10 vjet pas tragjedisë, Amerika është më e fortë dhe populli më i prirur të ecë përpara pavarësisht rreziqeve. Megjithate, shefi i Shtëpisë së Bardhë vuri edhe një herë në dukje se në predispozitën e tij anti-terrorit, vendi nuk duhet të ulë vigjilencën, as javët në vazhdim.

Numri dy i administratës, Joe Biden, ishte bashkë me ish-presidentët Xhorxh Bush dhe Bill Klinton në Shanksvill të Pensilvanisë për ceremoninë e dedikimit të një memoriali viktimave te Fluturimit 93 të linjës ajrore United, i cili u përplas në një fushë gjatë sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2011.

Memoriali është prej guri të bardhë dhe kujton përpjekjet e udhëtarëve dhe ekuipazhit për të mposhtur rrëmbyesit dhe për të penguar realizimin e objektivit të tyre.

“Kjo përmendore është një garanci se kombi ynë do t’i kujtojë gjithmonë ata që humbën jetën në 11 shtator. Por, ne kemi një detyrim përtej kujtimit. Kemi një detyrim përtej nderimit. Kemi detyrimin t’i jetojmë jetët tona në mënyrë të tillë që të lartësojnë idealet e këtyre burrave dhe grave. Kemi detyrën të gjejmë si komb një pikësynim të përbashkët”, u shpreh George W. Bush.

“Teksa kujtjomë çfarë ndodhi në New York, Pentagon dhe këtu, ne duhet të nderojmë ata që vdiqën, të falenderojmë të afërmit që mbajnë gjallë kujtimin, të rrisim fëmijët e tyre e të gjejmë forcën për të vazhduar jetën. Mendoj se duhet të falenderojmë presidentin Bush, zëvendëspresidentin Biden dhe presidentin Obama e të gjithë ata që shërbyen përkrah tyre, të cilët nuk lejuan që Amerika të sulmohej sërish”, tha në fjalën e tij Bill Clinton.


“Nuk ka momente të vështira që nuk mund të transformohen në forcë kombëtare. Farat e dyshimet të mbjella nga ata që na duan të keqen do të rriten për tu kthyer në kullota të gjelbra si kjo ku po qëndrojmë sot. Sepse ata nuk munden, ata nuk do të arrijnë të mposhtin shpirtin amerikan”, theksoi Joe Biden.

Në Washington, presidenti Barak Obama shënoi 10 vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 duke nderuar kujtimin e atyre që humbën jetën dhe shprehur respektin e tij për forcat e armatosura amerikane.

Ndërkaq, ish-kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Rudi Xhuliani, tha se Amerika është më sigurtë sot se sa më 11 shtator 2001, por jo aq e sigurt sa duhet të ishte. Presidenti Obama dhe e shoqja, Mishelë, që dje ishin në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit për të shprehur respektin ndaj personelit ushtarak të vrarë në Irak dhe Afganistan, do të marrin pjesë sot gjatë gjithë ditës në ceremonitë përkujtimore të 11 shtatorit.

Ata do të shkojnë fillimisht në Nju Jork, ku do të jenë të pranishëm edhe Xhorxh Bush dhe personalitete të tjera. Çifti presidencial do të kthehet pastaj në Uashington për të vendosur një kurorë në Pentagon.

Dita e tyre do të mbyllet me një fjalim të presidentit në një koncert përkujtimor në qendrën Xhon F. Kenedi të Arteve Skenike në Uashington.



Shtuar më 11/09/2011, ora 11:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori