SHBA paralajmëron sulme të tjera nëse Siria teston gatishmërinë e saj
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres u ka bërë thirrje të gjitha shteteve të “tregojnë durim në këto situatë të rrezikshme dhe të mënjanjojnë ndonjë akt që mund të përshkallëzojë apo përkeqësojë vuajtjen e popullit sirian”.

Me këtë rast ai i është referuar situatës pas sulmeve të Shteteve të Bashkuara, Britanisë dhe Francës në tri baza qeveritare të Sirisë.

Ai ka thënë se hetuesit ndërkombëtarë kanë qenë në Siri dhe të gatshëm për të vizituar vendin e sulmit të dyshuar me armë kimike në Duma.

Ambasadori rus në Këshillin e Sigurimit në Kombet e Bashkuara, Vassily Nebenzya, ka thënë se sulmet e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj ka qenë “akt i agresionit” kundër shtetit sovran.

Ai ka thënë se veprimi i këtyre shteteve ka demonstruar një shpërfillje të ligjit ndërkombëtar.

Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley ka thënë se sulmet janë planifikuar me kujdes për të minimizuar viktimat civile.

Ajo ka thënë se Shtetet e Bashkuara do të ndjekin secilin vend që mund të përdorë apo ndihmon në përdorimin e armëve kimike.

Haley ka përsëritur se presidenti Trump ka deklaruar që nëse Siria përdor sërish gaz helmues, SHBA-ja është e gatshme për të reaguar.

“Ne jemi të bindur se kemi paralizuar programin e armëve kimike të Sirisë. Ne jemi të gatshëm të vazhdojmë këtë presion, nëse regjimi sirian është aq i pamend sa të testojë gadishmërinë tonë”, ka thënë ajo.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka përshëndetur sulmet ushtarake në Siri, duke thënë se ato janë kryer në “mënyrë të përkryer” dhe se “misioni ka përfunduar”.

Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca kanë bombarduar tri caqe qeveritare, duke shënjestruar ato që i kanë cilësuar si baza të armëve kimike.

Sulmet kanë qenë përgjigje ndaj sulmit të dyshuar me armë kimike në qytetin Duma, javën e kaluar.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka thënë se ai ka dënuar sulmet Perëndimore, “në mënyrën më serioze”.

Assad dhe Putin dënojnë sulmin e SHBA-së dhe aleatëve në Siri

Rusia, aleatja kryesore e Sirisë ka kërcënuar me hakmarrje ushtarake nëse goditet ndonjë forcë ruse.

Pentagoni ka thënë të shtunën se sulmet amerikane në Siri në natën e mbrëmshme kanë qëlluar me sukes secilin cak dhe se kanë pasur për qëllim dërgimin e një sinjali te Qeveria siriane, si dhe për pengimin e përdorimit eventual të armëve kimike në të ardhmen.

Togeri, Kenneth F. McKenzie u ka thënë gazetarëve se sulmet kanë qenë precize dhe shumë efektive.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka dënuar sulmet në mënyrën “më serioze”.

Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei ka thënë se sulmet e koordinuara në Siri nga Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Britania kanë qenë krim që nuk do të sjellë ndonjë përfitim.

“Sulmi i sotëm në Siri është krim. Unë hapur deklaroj se presidenti i Shteteve të Bashkuara, presidenti i Francës dhe kryeministrja britanike janë kriminelë”, ka thënë Khamenei gjatë një fjalimi, bazuar në llogarinë e tij në Twitter.

Presidenti iranian, Hassan Rouhani ka paralajmëruar se sulmet amerikane mund të nxisin konflikt në Lindjen e Mesme, ka raportuar agjencia e lajmeve Tasnim.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka mirëpritur sulmet amerikane, britanike dhe franceze në Siri, duke thënë se ky operacion ka dërguar mesazh homologut të tij sirian, Bashar al-Assad.

“Përmes një operacioni të përbashkët, Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca, i kanë dërguar mesazh regjimit sirian se masakrat e kryera nuk do të mbesin pa përgjigje”, u ka thënë Erdogan mbështetësve të tij gjatë një takimi në Stamboll.

“Populli sirian ka merituar që të ketë mbrojtje shumë kohë më parë”, ka thënë Erdogan.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka urdhëruar sulme precize ushtarake kundër Sirisë, në bashkëpunim me Mbretërinë e Bashkuar dhe Francën. /albeu.com/
Shtuar më 14/04/2018, ora 18:42

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori