Arrestimi i Amant Josifit në Dubai, reagon policia: Kërkohej për mashtrim dhe skema piramidale

Policia ka reaguar në lidhje me arrestimin e Amant Josifit në Dubai.

Ish-këshilltari i ish-ministres Olta Xhaçka u arrestua për llogari të autoriteteve spanjolle, teksa ishte në kërkim ndërkombëtar për veprat penale “Mashtrime me rrethana rënduese”, “Krim kibernetik”, “Skema piramidale” dhe “Organizata kriminale”, të parashikuara nga Kodi Penal spanjoll.

Njoftimi i policisë:

Sqarim i Policisë së Shtetit, në lidhje me kapjen në Dubai, të shtetasit A. J., të shpallur në kërkim ndërkombëtar në kuadër të megaoperacionit policor ndërkombëtar të koduar “FRIDA-REFOX”.

Në vijim të punës hetimore, gjurmuese dhe kërkimore, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim në kuadër të hetimit të përbashkët ndërmjet autoriteteve policore shqiptare dhe atyre spanjolle, u kap në Dubai, për llogari të autoriteteve spanjolle, shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar A. J.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e La Seu de Urgell, Spanjë, me vendimin nr. 2, të datës 03.11.2022, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Mashtrime me rrethana rënduese”, “Krim kibernetik”, “Skema piramidale” dhe “Organizata kriminale”, të parashikuara nga Kodi Penal spanjoll.


Shtuar 14.09.2023 15:59