SHBA me ‘kërkesa specifike’ për Kim Jong-unin
Zyrtarët amerikanë kanë njoftuar sot se Shtetet e Bashkuara do t’i prezantojnë shumë shpejt “kërkesat specifike” Koresë Veriore, pas samitit historik midis liderëve të të dyja vendeve.
Një zyrtar amerikan i ka bërë këto komente para një grupi të vogël të gazetarëve, pak para nisjes në një udhëtim në Azi, së bashku me sekretarin amerikan të mbrojtjes, James Mattis.

Ai nuk i ka bërë të ditura detajet, mirëpo ka thënë se kërkesat dhe koha e dhënë do të përcaktojnë nivelin e përkushtimit të Penjanit.

“Do ta kuptojmë shumë shpejt nëse ata do të veprojnë me qëllim të mirë apo jo”, ka thënë zyrtari në kushte anonimiteti.

“Do të ketë kërkesa specifike dhe kohë të caktuar kur të prezantojmë para koreano-veriorëve konceptin tonë të zbatimit të marrëveshjes që është arritur në samit”, ka thënë ai.

Në samitin e mbajtur në Singapor, i pari në mes të një presidenti amerikan në detyrë dhe një lideri koreano-verior, Kim Jong Un ka treguar gatishmëri për të punuar drejt denuklearizimit të plotë të gadishullit korean, derisa Trump ka thënë se do të ndalojë stërvitjet ushtarake SHBA-Kore Jugore, të cilat i ka cilësuar si “lojëra lufte”.


Shtuar më 25/06/2018, ora 21:18

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori