SHBA kercenon Izraelin me sanksione
Albeu.com
Zyrtarët në Izrael ishin tejet të shqetësuar gjatë ditës së djeshme, pasi që i dërguari i posaçëm i SHBA-së në Lindjen e Mesme sugjeroi se SHBA-ja mund të imponojë sanksione ndaj Izraelit, për të detyruar këtë vend që të bëjë koncesione në negociatat me palestinezët.
Negociatat u ndërprenë para një viti dhe nuk kanë rifilluar ende, pasi që palestinezët insistojnë se Izraeli fillimisht duhet të ndalë të gjitha aktivitetet nëpër kolonitë në territoret e kontestuara, të cilat ata i kërkojnë për shtetin e tyre të ardhshëm.

Izraeli thotë se palestinezët duhet të kthehen në tavolinën e negociatave, pa vendosur kushte paraprake.

I dërguari amerikan, George Mitchell, u pyet javën e kaluar se cila është trysnia, e cila do të mund të bëhej ndaj Izraelit.

“Sipas ligjit amerikan, SHBA-ja mund të ndal garancitë për kredi për Izraelin”, tha Mitchell, duke nënvizuar se këtë në të kaluarën e ka bërë edhe administrata e George Bushit.

Menjëherë pas deklaratës së Mitchellit, kumtesë lëshoi edhe zyra e kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, e cila për ngecjen aktuale fajësoi palestinezët.

“Të gjithë e kanë kuptuar se autoritetet palestineze po e refuzojnë rifillimin e negociatave paqësore, ndërsa Izraeli ka ndërmarrë hapa, për të avancuar procesin”, u theksua në kumtesë.
Shtuar më 10/01/2010, ora 20:11
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori