SHBA/ Hetime mbi motivet e përdorimit të informatorit nga FBI
Pëlqej
Departamenti amerikan i Drejtësisë, nën presionin e Presidentit Donald Trump, i ka kërkuar Inspektorit të Përgjithshëm të shqyrtojë nëse hetimet e FBI-së lidhur me ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të 2016-ës janë nxitur nga motive politike.

Departamenti i Drejtësisë veproi pas një postimi në twiter të zotit Trump të dielën. Ai kërkonte që departamenti të shqyrtojë nëse Byroja Federale e Hetimeve "ka përgjuar" fushatën e tij "për qëllime politike" dhe nëse një kërkesë e tillë është bërë nga njerëz brenda administratës Obama".

Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm Rod Rosenstein, i cili po mbikëqyr hetimin penal të Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller për ndërhyrjen ruse, tha se: "nëse dikush ka vëzhguar anëtarët e një fushate presidenciale për qëllime të papërshtatshme, ne duhet të dimë dhe të ndërmarrim veprimet e duhura".

Veprimi i Departamentit të Drejtësisë shmangu një përplasje të mundshme me zotin Trump.

Brenda pak minutash nga tweetet e presidentit i cili kërkonte hetim për këtë çështje, anëtarët e administratës së ish-Presidentit Barak Obama dhe të tjerë reaguan me alarm. Ata thanë se besonin se kërkesa e zotit Trump për të hetuar, ishte potencialisht ndërhyrja më serioze në sistemin amerikan të drejtësisë, pas shkarkimit nga presidenti të ish drejtorit të FBI-së James Comey, ndërsa ai zhvillonte hetime lidhur me ndërhyrjen e rusisë në zgjedhje.

Të shtunën zoti Trump u ankua se FBI-ja dhe Departamenti i Drejtësisë kishin përgjuar fushatën e tij përmes një informatori. Disa agjenci lajmesh e kanë identifikuar informatorin si Stefan Halper, një profesor amerikan 73-vjeçar i universitetin Britanik të Kembrixhit, i cili ka punuar dekada më parë për tre administrata të tjera republikane.
Shtuar më 21/05/2018, ora 19:07
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori