SHBA, FBI-ja arreston 4 kosovarë
Pëlqej
Albeu.com
4 shqiptarë nga Kosova akuzohen se do të sulmonin bazën që strehoi 4 mijë refugjatë shqiptarë në 1999-ën në SHBA. Në pranga, edhe një turk e një jordanez.Gjashtë persona janë arrestuar nga agjentët e FBI-së, nën akuzën se po komplotonin një sulm në bazën ushtarake të "Fort Dix"-it, sulm që synonte të vriste sa më shumë ushtarë, thanë të martën autoritetet federale amerikane. "Të dyshuarit priten të dalin para Gjykatës së Distriktit të Nju-Xhersit, ku edhe do të përballen me akuzën për konspiracion kundër ushtarëve amerikanë", tha Majkëll Dreniak, zëdhënës i zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm në Nju-Xhersi. Të arrestuarit janë identifikuar në dokumentet që disponon gjykata si: Mohamad Ibrahim Shneuer, nga Jordania, Serdar Tatar nga Turqia dhe Dritan, Elvir, Shain Duka e Agron Abdullahu nga Kosova. Nga kontrolli në shërbimin e emigracionit rezultoi se tre kushërinjtë e supozuar Duka jetonin ilegalisht në Shtetet e Bashkuara. Zyrtarët thanë se të gjithë të arrestuarit jetojnë prej vitesh në SHBA. Veç tre personave që qëndronin ilegalisht në SHBA, dy të tjerët kishin leje pune, ndërsa njëri kishte shtetësinë amerikane. Tani, sipas burimeve federale, hetimi është shtrirë edhe në shërbimin e emigracionit. Pesë nga të arrestuarit jetonin në Cherry Hill, rreth 10 milje në lindje të Filadelfias dhe 20 milje në jugperëndim të "Fort Dix". "Ata po planifikonin një sulm në ‘Fort Dix‘, ku synonin të vrisnin sa më shumë ushtarë që të ishte e mundur", tha zëdhënësi Dreniak.

"Islamikë radikalë?"

Të arrestuarit janë përshkruar si "islamikë radikalë" nga Greg Reinert, një zëdhënës i zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm të Shteteve të Bashkuara. Një burim nga forcat e sigurisë deklaroi se, të gjithë të dyshuarit janë konvertuar në myslimanë pak kohë më parë, pasi nuk kanë lindur të tillë. Ndërkohë, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Toni Snou, tha të martën se nuk kishte prova direkte, që këta persona të kishin lidhje me terrorizmin ndërkombëtar. "Ata nuk akuzohen si anëtarë të ndonjë organizate terroriste ndërkombëtare", tha Snou. "Të paktën në këtë pikë, nuk ka të dhëna që ata të kenë marrë ndonjë direktivë nga organizata ndërkombëtare terroriste". FBI-ja kishte marrë sinjalet e para në fillim të vitit 2006, pasi dikush kishte ofruar një video në një dyqan për ta kopjuar në DVD. Në këtë video shiheshin 10 burra, përfshirë edhe gjashtë të arrestuarit, që qëllonin me armë zjarri dhe apelonin për "xhihad" (luftë të shenjtë). "Ajo që na shqetësoi ishte fakti se ata filluan të kryenin trajnime armësh dhe vëzhgimi, si edhe diskutonin për vrasjen e një numri të madh ushtarësh", tha zëdhënësi i Departamentit të Drejtësisë, Den Boyd. Kështu, sipas zyrtarëve, një nga të arrestuarit punonte si shpërndarës picash në bazë dhe e shfrytëzonte këtë mundësi për të vëzhguar dhe piketuar objektivat që do të sulmoheshin. Zyrtarët thonë se një prej të arrestuarve ka qenë nën vëzhgim që prej 16 muajsh dhe sulmi i komplotuar ishte praktikuar disa herë në malet Pocono, në Pensilvaninë verilindore. Ata, gjithashtu, shikonin video të Osama Bin Ladenit.

Shënjestrat e planifikuara

Burime federale thanë se shënjestrat e planifikuara shkonin edhe përtej instalimeve ushtarake dhe të arrestuarit kërkonin edhe objektiva të tjerë të mundshëm në zonë. Sipas zyrtarëve, personat jetonin në SHBA prej disa kohësh dhe ishin arrestuar si pjesë e një hetimi të përbashkët federal e lokal. Hetimi kishte filluar prej një viti dhe pjesa më e madhe e informacioneve ishte siguruar nëpërmjet telefonave celularë dhe komunikimit në internet. Gjithsesi, dokumentacioni i plotë i këtij rasti është ende sekret. Disa gazeta lokale, madje, shkruajnë se ata kishin rënë dakord të blinin armë zjarri AK-47 nga një tregtar armësh, që në fshehtësi bashkëpunonte me FBI-në. Përshkrimi i të arrestuarve si "militantë islamikë" ka shtuar frikën mes komunitetit mysliman në Nju-Xhersi. Në fakt, me qindra myslimanë nga Nju-Xhersi ishin vënë nën vëzhgim dhe ishin arrestuar nga autoritetet pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, por asnjë prej tyre nuk kishte pasur lidhje me atentatet. Baza, që dyshohet se do sulmohej nga 6 të arrestuarit, shërben për trajnimin e ushtarëve, para se ata të shkojnë me shërbim në zonat me konflikte.


1999


Baza që priti 4 mijë refugjatë nga Kosova

"Fort Dix" është një bazë që përdoret për të trajnuar ushtarë, në mënyrë të veçantë rezervistë, që më pas thuhet se shkojnë në Irak, Afganistan dhe zona të tjera me konflikte. Në vitin 1999, në këtë bazë ushtarake u pritën më shumë se 4 mijë refugjatë nga Kosova. Pas luftës në Kosovë, refugjatët u lejuan të ktheheshin në provincën e administruar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, ndonëse shumë prej tyre kërkuan leje për qëndrim apo shtetësi amerikane. Që nga viti 2001, baza ka qenë e mbyllur për publikun. G. Shqip
Shtuar më 09/05/2007, ora 11:15
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori