SHBA dhe Kina ratifikojnë marrëveshjen për klimën
Shtetet e Bashkuara dhe Kina, të cilat së bashku janë përgjegjëse për emetimin e 40% të dioksidit të karbonit në botë, kanë ratifikuar marrëveshjen e klimës që u arrit në muajin dhjetor të vitit që lamë pas në Paris.

Ratifikimi ka ardhur përpara mbajtjes së samitit të 11 të G20, ku përveç ekonomisë dhe politikës, liderët e 20 vendeve më të zhvilluara të botës do të diskutojnë edhe mjedisin.

Marrëveshja e Parisit është marrëveshja e parë gjithëpërfshirëse mbi klimën, e cila do të hyjë në fuqi pasi të ratifikohet nga të paktën 55 vende, të cilat prodhojnë 55 për qind të gazit serrë në rang global.

Ekspertët janë shprehur se kjo lëvizje ka për qëllim që të nxisë edhe vendet e tjera për ta miratuar akordin në legjislaturat respektive.

Marrëveshja e Parisit është firmosur nga 179 shtete, por ende shumë prej tyre nuk kanë ndërmarrë hapin final, atë të ratifikimit.

Akordi ka për qëllim që ta mbajë nivelin e rritjes mesatare të temperaturës globale nën nivelin 2 gradë celcius në krahasim me periudhën para industriale. /albeu.com/


Shtuar më 03/09/2016, ora 16:25

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori