Prag lufte? Kina po përgatit stërvitje të mëdha ushtarake rreth Tajvanit

Teksa të gjithë i kanë sytë nga lufta në Ukrainë, një tjetër vatër tensionesh duket se është gati të “plasë”.

Bëhet fjalë për mosmarrëveshjet mbi Tajvanin, ku në këtë konflikt duket se përballë janë drejtpërdrejt Kina dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kina duket se po përgatit stërvitje të mëdha ushtarake, të cilat do të nisin të enjten dhe do të përfundojnë të dielën.

Katër ditë dhe gjashtë rajone, të cilat ndodhen përreth ishullit të Tajvanit.

Kjo pritet të jetë stërvitja e radhës ushtarake e Kinës, si një shenjë “paralajmërimi” për palën tajvaneze në çështjen e pavarësisë së tyre nga Pekini zyrtar.

Vetëm një ditë pas përmbylljes së vizitës së kryekongresmenes amerikane Nancy Pelosi në Taipei, pritet që Kina të ndërmarrë këtë stërvitje ushtarake, e cila do të përfshijë edhe goditje me municione aktive ushtarake.

Lajmin e ka bërë të ditur agjencia e lajmeve e atashuar pranë shtetit kinez, Global Times, duke shpërndarë edhe një hartë të mundshme të gjashtë zonave.

Në sy bie se vetëm prej zonave të shënuara ndodhet midis Kinës dhe Tajvanit. Teksa, pesë të tjerat, e rrethojnë ishullin për nga hapësirat tokësore jashtë-kontinentale.

Nuk dihet ende se në çfarë shkalle dhe në çfarë përmasash këto stërvitje do të jenë, por për nga rëndësia, ato mund të cilësohen si shumë të komplikuara, pasi po marrin jetë në një periudhë tepër të acaruar të raporteve Kinë-Tajvan.

Pala amerikane ka shprehur qëndrim të qartë pro status quo-së tajvaneze, aq sa ka shkuar edhe deri në paralajmërim për ndërhyrje ndaj Pekinit, nëse hapa të tjerë merren për pushtimin e Tajvanit.

Lufta në Ukrainë gjithashtu është ndikuese në këtë aspekt, pasi bota po përjeton një luftë të vërtetë brenda kontinentit evropian dhe ky veprim i ndërmarrë nga rusët mund të jenë premisë për palën kineze që të mësyjë ishullin.