Serbia eshte oktopod i krimit
Albeu.com
Kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Ranko Krivokapic, akuzoi të martën Beogradin zyrtar se po mundohet që problemin e narko-kartelit të saj ta eksportojë në Mal të Zi. Krivokapic vlerësoi se Serbia “është atdhe i këtij ...... krimi dhe seli e ‘oktopodit’, ndërkohë që vetëm një pipth i tij arriti deri në Malin e Zi”.

"Serbia është atdheu i këtij lloji të krimit, e Saric është shtetas i saj, kështu që ata tani dëshirojnë që këtë problem t’ia ngarkojnë Malit të Zi. Mali i Zi këtë problem e ka vetëm në një pipth, dhe ne do ta zgjidhim atë”, pohoi Krivokapic për Radion e Malit të Zi me rastin e akuzave të Serbisë për mosbashkëpunimin e Malit të Zi në rastin e Darko Saric, që akuzohet për kontrabandën e rreth 2 tonelatave të kokainës nga Amerika Jugore.

Krivokapic i bëri thirrje Beogradit zyrtar që “ta zgjidhë këtë problem”, ndërsa akuzat e Serbisë i karakterizoi si një pretendim të Beogradit “për rregullimin e gjërave” brenda Malit të Zi.

Kryeparlamentari malazez vlerësoi se akuzat e Serbisë për lidhjet e elitës malazeze me krimin janë “të papranueshme”, duke e përmendur në këtë kontekst ministren serbe të drejtësisë, Snezana Malovic.

"Pas tezave të tilla të homologes së tij ministri malazez i drejtësisë s’do të duhej të shkonte në Beograd, sepse këtë ia imponon krenaria elementare shtetërore. Le të presë që zonja të vij këtu, dhe le ta thotë atë që po e thotë nga ana tjetër e kufirit. Le të bëhet pra e kulturuar dhe le të na e thotë në sy”, porositi Krivokapic.

Mirëpo, kryeparlamentari Krivokapic megjithatë pohoi se raporti i Beogradit ndaj Podgoricës lidhur me krimin e organizuar paraqet “problemin numër dy”, sepse “problemi numër një është zgjidhja e krimit brenda Malit të Zi”.

Duke folur rreth kërkesës së opozitës për thirrjen e mbledhjes së Këshillit të Mbrojtjes dhe Sigurisë, ku do të shqyrtohej puna e organeve shtetërore në luftimin e krimit të organizuar, me theks në ‘rastin Saric’, Krivokapic paralajmëroi se do të pres që këshilli parlamentar për siguri të përfundojë punën e vet dhe që pastaj të përcaktohet rreth asaj iniciative. Ky këshill javën e kaluar dëgjoi ministrin e Brendshëm dhe drejtorin e policisë, ndërkaq të martën pritej edhe deklarimi i drejtorit të Agjencisë për Siguri Kombëtare (ANB) dhe i Drejtoratit për Parandalimin e Shpëlarjes së Parave rreth ‘rastit Saric’. (Beta)
Shtuar më 24/02/2010, ora 16:18
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori