“Rreshtimi i Serbisë me Perëndimin”, si po ngazëllehet Rama nga taktikat e Vuçiçit

Sa herë që Serbia ndërron pak anë dhe me ndonjë votë kthehet me qasje më kah Perëndimi, lajmërohet Edi Rama, për të vënë në pah se Serbia po e kundërshton të keqën. Madje edhe atëherë kur Serbia vetë deklarohet se nuk bëhet me Perëndimin kundër Rusisë.

Kryeministri Edi Rama i jep vëmendje të veçantë votimeve të Serbisë në Kombet e Bashkuara. Duket se liron frymën, sa herë që Serbia, megjithatë, nuk përkrah Rusinë në to. Pastaj nis e shkruan një “tëeet”, duke e nderuar qëndrimin e shtetit serb. Krejt kjo, me gjasë, për të treguar se rruga që është duke e ndjekur për Ballkanin e Hapur bashkë me Serbinë, nuk është një drejtim i gabuar.

Në votimin e 7 prillit për pezullimin e Rusisë nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut në Kombet e Bashkuara, lajm i mirë, për Ramën, është rreshtimi i Serbisë “përsëri” me Perëndimin.

“Pezullimi i Rusisë nga Human Rights Council në OKB refuzim i fortë për të pranuar shkeljen brutale të çdo lirie e të drejte dhe krimet mizore të luftës në Ukrainë. Rreshtimi i Serbisë përsëri me Perëndimin në këtë përshkallëzim të ri kundër agresionit rus, lajm i mirë për rajonin!”, shkroi Rama.

Serbia dhe Bjellorusia e autokratit Aleksandër Lukashenko, janë të vetmet shtete më Evropë që nuk i kanë vënë sanksione Rusisë, që kur forcat ruse ndërhyn ushtarakisht në territorin e Ukrainës.

Rama rri i heshtur rreth hezitimit të partnerit të tij, Aleksandër Vuciq për ta sanksionuar Rusinë. Reagon kur ka diçka të mirë për të shkruar rreth qëndrimit të Serbisë karshi rusëve.

Më 2 mars, në OKB u votua kundër agresionit rus ndaj Ukrainës. Rama shkruante për votën e Serbisë “kundër Rusisë”, duke thënë se kjo “unifikon e Ballkanin Perëndimor me Perëndimin”.

“141 vende ndëshkojnë Rusinë me votimin e tyre në OKB kundër agresionit ndaj Ukrainës!Rusia hyn në periudhën e vetmisë më të madhe të historisë së saj me veç 4 vende ultradiktatoriale që i qëndrojnë në krah!Vota e Serbisë kundër Rusisë unifikon Ballkanin Perëndimor me Perëndimin”, thuhet në postimin e plotë të Ramës atë ditë.

Por, deklaratat optimiste për shtetin mik, Ramës ia demantonte vetë Serbia.

Ky ishte momenti kur u konsiderua se Serbia ndërroi anë, derisa Vuçiq doli në konferencë për media, për të treguar se nuk i bashkohen Perëndimit për ta sanksionuar Rusinë. Ai tha se kishin votuar pro 4 neneve dhe kundër 9 të tjerave, të cilat flisnin për sanksione ndaj shtetit rus.

Më vonë, Serbia u bë shteti i parë, ku u marshua duke u glorifikuar Rusia, që po kryente krime në Ukrainë.

Përveç se nuk i ka vënë sanksione, mediat ndërkombëtare kanë raportuar se Serbia është bërë korridor i oligarkëve rusë, të cilët dyshohet se po dalin në Evropë, përmes linjave Beograd – Moskë. /Express

 

 


Shtuar 8.04.2022 17:33