Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Ban Ki Moon, mbështet planin Ahtisaari
Albeu.com
"Çështja e statusit të Kosovës tanimë është para Këshillit të Sigurimit", tha dje zëdhënësja e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Michele Montas, duke bërë të qartë përgjigjen ndaj kërkesës së Beogradit për bisedime të reja për Kosovën.Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara nuk ka marrë asnjë letër nga Qeveria e Serbisë, me të cilën kërkohen negociata të reja për Kosovën.

"Një letër e tillë nga Qeveria e Serbisë nuk ka ardhur në zyrën e Sekretarit të Përgjithshëm në New York", tha zëdhënësja e Kombeve të Bashkuara, Michele Montas.

Dje u tha se Qeveria e Serbisë dhe Këshilli i Kishës Ortodokse Serbe paskan apeluar tek Kombet e Bashkuara duke kërkuar nga Sekretari i
Përgjithshëm Ban Ki Moon bisedime të reja për statusin e Kosovës.

"Nga ana e tij, Sekretari i Përgjithshëm akoma e mbështet propozimin e të dërguarit të posaçëm, Martti Ahtisaari, ndërkaq çështja e statusit të Kosovës tanimë është para Këshillit të Sigurimit", tha dje zëdhënësja Montas.

Dje, vonë pasdite janë mbledhur edhe njëherë vendet e përhershme anëtare të Këshillit të Sigurimit për të biseduar lidhur me ecurinë e mëtejme rreth rezolutës mbi Kosovën. Në nivel ekspertësh janë vazhduar diskutimet teknike si dhe modifikimet e mundshme që do të ishin të pranueshme për anëtarët e Këshillit.

"Qëndrimi amerikan vazhdon të jetë kërkesa për zbatimin e planit Ahtisaari, që parasheh një pavarësi të Kosovës", na tha një nga zëdhënësit e Misionit amerikan në Kombet e Bashkuara.

Ndërkaq, dje gjatë ditës, ambasadori i Rusisë në Kombet e Bashkuara, Vitalij Churkin foli për pozicionet e paafruara midis Moskës dhe aleatëve perëndimorë rreth çështjes së Kosovës.

"Ne kemi pasur takimin e Grupit të Kontaktit në New York, ku shfaqëm pikëpamjet tona të cilat u pa haptas se ishin shumë të largëta. Ne vendosëm që t'i njoftojmë qendrat tona dhe të reflektojmë me situatën. Ne shumë qartë e kemi bërë të njohur pozicionin tone", tha Churkin, duke aluduar edhe njëherë në kundërshtimet e Rusisë për planin Ahtisaari. rtk
Shtuar më 26/05/2007, ora 15:37
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori