Schulz refuzon postin e ministrit të Jashtëm
Lideri në ikje i Partisë Socialdemokrate (SPD), Martin Schulz deklaroi sot se ka vendosur të mos e pranojë detyrën e ministrit të Jashtëm, sepse ky post mund të rrezikojë një votim kyç të SPD-së për formimin e një koalicion të ri qeveritar me kancelaren, Angela Merkel.

“Prandaj, unë deklaroj se do të heq dorë nga bashkimi me qeverinë federale dhe në të njëjtën kohë shpresoj se kjo do t’i japë fund debatit të anëtarëve brenda SPD-së,” njoftoi Schulz gjatë një deklarate.

Schulz, 62 vjeç, ka qënë nën presionin partiak lidhur me rishqyrtimin e pranimit të detyrës së ministrit të Jashtëm në një koalicion të ri qeveritar me Merkel.

Më herët, ai kishte përjashtuar në mënyrë kategorike të formonte një aleance të re me kancelaren Merkel apo të bashkohej me kabinetin e saj.

Deklarata e Schulzit vjen në prag të përgatitjeve të SPD-së për zhvillimin e një votimi nga më shumë se 460 000 anëtarë të partisë për pranimin e marrëveshjes së re të koalicionit dhe vetëm dy ditë pasi Schulzi njoftoi se po largohej edhe nga presidenca e partisë së qendrës së majtë. /albeu.com/
Shtuar më 09/02/2018, ora 16:10

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori