Schuessel flet për Ballkanin dhe BE-në
Albeu.com
Kancelari austriak, Wolfgang Schuessel ka deklaruar se Ballkani do të jetë një nga përparësitë kryesore të presidencës austriake të BE-së gjatë gjashtë muajve të ardhshëm.Në prezantimin e programit të presidencës para Parlamentit Evropian, z. Schuessel tha se ishte shumë e rëndësishme që dera e BE-së të mbetej e hapur për vendet e rajonit.

"Ne ose do të eksportojmë stabilitet, ose do të importojmë mungesë të
stabilitetit," tha ai.

"Duhet të ketë një perspektivë evropiane dhe vetëm me këtë perspektivë mund të kryehen reformat dhe të ndodhë pajtimi mes grupeve etnike në Bosnjë, Serbi apo Kosovë".

Z. Schuessel tha se e njihte rajonin dhe politikanët e tij shumë mirë si ish-ministër i jashtëm i vendit.

Nuk vendosen afate

Ai përsëriti premtimin e bërë nga udhëheqësit e BE-së në samitin e Selanikut në vitin 2003 se e ardhmja e Ballkanit ishte në Evropë.

"Mendoj se është me shumë rëndësi që dera të mbetet e hapur dhe kjo perspektivë duhet ruajtur. Vetëm nëse kjo ndodh, do të ketë paqe," tha ai por nuk caktoi afate kohore.

"Nuk është me rëndësi se kur do të ndodhë, por perspektiva duhet të mbetet".

Z. Schuessel tha se nuk mendonte se negociatat me Maqedoninë, që në dhjetor u mori zyrtarisht statusin e vendit kandidat, do të fillonin gjatë muajve të ardhshëm, sepse "BE-ja kishte përparësi të tjera" gjatë kësaj kohe.

Në prezantimin e tij para parlamentit evropian, kancelari austriak bëri shumë pak referenca për zgjerimin.

Korrespondentja e BBC-së në Bruksel, Oana Lungescu thotë se dhe ato pak referenca që bëri, ishin negative: Ai foli për shqetësimin në rritje të evropianëve për zgjerimin e BE-së dhe nevojën e vazhdueshme për t'i vënë një lloj kufiri Evropës.

Barroso në Ballkan

Presidenti i KE-së Jose Manuel Barroso do të vizitojë Ballkanin në javët e ardhshme, për të demonstruar rëndësinë që i jep zhvillive të situatës në rajon.

Javën e ardhshme, komisioneri i BE-së për Zgjerimin, Olli Rehn do të prezantojë një raport rreth marrëdhënieve të BE-së me vendet e Ballkanit.

Në të, ai pritet t'i sigurojë vendet e rajonit se e kanë mundësinë për anëtarësim në BE, pavarësisht nga qëndrimi negativ i opinionit publik për këtë në Perëndim.

Komisioni po ashtu do të shtrojë mundësinë e lehtësimit të regjimit të vizave për banorët e rajonit.

Por marrja e vendimeve përfundimtare u takon qeverive të vendeve anëtare.

Zyrtarët e BE-së thonë se Franca dhe Gjermani ngurrojnë dhe mund ta bllokojnë kryerjen e ndryshimeve. BBC
Shtuar më 19/01/2006, ora 15:16
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori