Samiti G20/ Krerët e botës mblidhen në Kinë
Vetëm pak orë na ndajnë nga mbajtja e samitit të G20, ku liderët e 20 vendeve më të zhvilluara të botës do të diskutojnë rreth mundësive për të rritur bashkëpunimin ekonomik por edhe për çështje të tjera të rëndësishme.

Pothuajse të gjithë krerët e shteteve ose qeverive kanë mbërritur në qytetin Hangzhou, i cili është nën masa mjaft të rrepta sigurie.
Në këtë samit do të flitet kryesisht për ekonominë botërore pas daljes së Britanisë nga BE-ja.

Gjithashtu, diskutime do të ketë edhe sa i përket marrëveshjes për uljen e nivelit të ndotjeve në atmosferë si dhe implementimin e suksesshëm të marrëveshjes së klimës që u arrit në Paris vitin e shkuar.

Për t’u theksuar është fakti se vetëm pak orë përpara fillimit të samitit, Kina e ratifikoi akordin, gjë që shihet si një hap mjaft pozitiv duke qenë se vendi aziatik është emetuesi më i madh i botës për dyoksidin e karbonit.

Ky është samiti i fundit i G20 për Presidentin në ikje, Barak Obama, i cili do të lërë zyrën në janar të vitit të ardhshëm.

Ndërkohë, kancelarja Merkel, presidenti Hollande dhe Presidenti rus Putin pritet të mbajnë një takim trilateral ku tema kryesore e diskutimit do të jetë Ukraina, aneksimi i Krimesë si dhe sanksionet e vendosura ndaj Moskës. /albeu.com/
Shtuar më 03/09/2016, ora 17:10

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori