Pas 19 vitesh, Ellen DeGeneres i jep fund programit mes lotësh

E përlotur, Ellen DeGeneres i dha fund shfaqjes së saj që ka zgjatur 19 vjet. “The Ellen DeGeneres Show” përfundon dy vite pas verës së vitit 2020, kur u ngritën akuzat për një vend toksik pune.

“E dija që ky sezon do të ishte sezoni im i fundit, kështu që me të vërtetë u përpoqa të merrja gjithçka”, tha ajo në një intervistë për Hollywood Reporter. “Dhe është qesharake sepse dy muajt e fundit isha më e emocionuar sesa në javët e fundit. Javën e kaluar nuk isha sepse vërtet doja ta shijoja.”

Karriera e Ellen ka pasur shkëlqimin, por edhe zbehjen e saj. Në vitet ’80, ishte e vështirë në SHBA që të konsiderohej një komediane tjetër përveç Roseanne Barr. Mirëpo Ellen ra në sy që në daljen e saj në “The Tonight Show” me Johnny Carson, ku fliste për historitë familjare me batuta që tërhoqën vëmendjen e audiencës. “Prindërit e mi ishin jashtëzakonisht mizorë me mua,” tha ajo me shaka. “Më kujtohet, po kthehesha në shtëpi nga kopshti…Epo, më thanë se ishte kopsht fëmijësh. Më vonë mora vesh se kisha punuar në një fabrikë për dy vjet.”

Mes viteve 1994-1998, Ellen u shfaq në sitcom-in “Ellen”. Asokohe, kur i kërkonin që të mos tregonte se ishte lesbike, Ellen foli publikisht për seksualitetin e saj. Kopertina “Yep, I’m Gay” e TIME si edhe rrëfimi në “The Oprah Winfrey Show” u konsideruan pa frikë një lëvizje e madhe. Vendimi i saj u festua nga komuniteti LGBTQ+, por ishte gjithashtu në qendër të reagimeve të ndryshme.

“The Ellen DeGeneres Show” u kthye në hit që pas premierës më 8 shtator 2003. Shakatë e Ellen, mimikat dhe lëvizjet e saj ishin të këndshme për audiencën. Intervistat me të famshmit dhe lojërat i dhanë shfaqjes një ton argëtues. Ellen përzgjidhej edhe për organizime të tjera, si për shembull kur prezantoi Oscars në vitin 2007 dhe sërish në vitin 2014, kur u shkrep një selfie me personazhe të njohur e cila u bë virale.

Në verën e vitin 2020, nisën thashethemet për mjedisin toksik të punës. Variety raportoi se ekipi ishte i mërzitur me mënyrën se si producentët kryesorë kishin – dhe nuk kishin – komunikuar me ta në mes të pandemisë së Covid-19. Tre muaj më vonë, një raport i Buzzfeed News që citonte ish-punonjësit, përshkroi një mjedis ku njerëzve u thuhej të mos flisnin me Ellen dhe dikush humbi punën pasi mori pjesë në një funeral familjar. Një grua me ngjyrë kujtoi një situatë ku një bashkëpunëtore i tha: “Më vjen keq, unë di vetëm emrat e njerëzve të bardhë që punojnë këtu” dhe sjellje të tjera raciste.

Pavarësisht përpjekjeve të DeGeneres, vlerësimet për shfaqjen e saj ranë. Midis shtatorit dhe marsit 2021, audienca ra nga 2.6 milionë në 1.5 milionë, sipas New York Times. DeGeneres njoftoi në maj 2021 se sezoni i saj i ardhshëm do të ishte i fundit. Ajo tha se akuzat toksike në vendin e punës dhe vlerësimet nuk ishin faktorë dhe plani kishte qenë gjithmonë që ta mbyllte atë kur kontrata të përfundonte në vitin 2022, në mënyrë që të mund të kërkonte sfida të reja.

“Nëse po shikon sepse më do, faleminderit,” tha Ellen në monologun për hapjen e sezonit. “Nëse po shikon sepse nuk më do, mirë se erdhe.”

Gjatë episodit të fundit, DeGeneres u mrekullua me ndryshimin në botë që kur ajo u bë pjesë e televizionit – kur ishte e paligjshme për homoseksualët të martoheshin – ndërkohë që tani, kur i referohet rregullisht gruas së saj, Portia de Rossi. Ajo falënderoi veçanërisht stafin dhe gjithashtu inkurajoi fansat që të hapin zemrat.

“Shpresoj që ajo që kam qenë në gjendje të bëj në 19 vitet e fundit të ka bërë të lumtur dhe kam qenë në gjendje të largoj pak dhimbjen e një dite të keqe ose çdo gjë që po kalon. Shpresoj të kem qenë qenë në gjendje të të frymëzoj për t’i bërë të tjerët të lumtur dhe për të bërë mirë në botë, për t’u ndjerë sikur ke një qëllim. Dhe e kam thënë më parë, por do ta them përsëri… Nëse kam bërë diçka në 19 vitet e fundit, shpresoj që të të kem frymëzuar të jesh vetvetja, vetvetja e vërtetë, autentike. Dhe nëse dikush është mjaftueshëm i guximshëm për të të treguar se kush është, mbështete. Edhe nëse nuk e kupton, ata po ju tregojnë se kush janë dhe kjo është dhurata më e madhe që dikush mund t’ju japë ndonjëherë,” tha Ellen.

“Duke hapur zemrën dhe mendjen , ju do të jeni shumë më të dhembshur dhe dhembshuria është ajo që e bën botën një vend më të mirë. Faleminderit shumë që ishit në këtë udhëtim me mua. Unë e ndjej dashurinë tuaj dhe ju dua. Mirupafshim.”