Platforma për bashkimin sjell përplasje, Alibeaj anulon konferencën: Zbardhet debati i tensionuar me Salianjin

Ka sjellë debate të forta në radhët e demokratëve platforma e propozuar nga Enkelejd Alibeaj për bashkimin e Partisë Demokratike.

Sipas Alibeajt, në funksion të bashkimit, PD duhet të anulojë vendimet e përjashtimeve dhe pezullimeve të kryesisë së PD pas protestës së 8 janarit, duke kthyer në grupin demokrat deputetët. Por ky vendim nuk vlente për Sali Berishën, i cili për Alibeajn nuk është pjesë e PD që prej 9 shtatorit.

Kreu i grupit të PD njoftoi pasditen e të premtes një dalje për mediat me bindjen se deputetët do ta mbështesnin platformën e hartuar prej tij. Por kjo gjë nuk ndodhi. Përmes komunikimeve telefonike, disa deputetët i kërkuan Alibeajt anulimin e firmave të tyre për platformën, duke insistuar që më shumë se sa Berisha, bashkimi duhet të vij përmes anulimin të proceseve zgjedhore të nisura dhe anulimin të Kuvendit të 30 prillit.

ABC mëson se Alibeaj ka pasur edhe një komunikim të tensionuar me nënkryetarin e grupit parlamentar të PD, Ervin Salianji. Ky i fundit i ka thënë Alibeajt që si nënkryetar grupi nuk mund të njoftohet në momentet e fundit për platformën. Gjithashtu Salianji ka kërkuar bashkimin e demokrateve dhe jo krijimin e artificave që i ndajnë ata në dy parti.

Pas mungesës së dakordësisë me pjesën më të madhe të deputetëve, Alibeaj vendosi të anulojë daljen për mediat. /abcnews.al


Shtuar 15.04.2022 19:52