Rusia njohu pavarësinë e Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë
Albeu.com
Presidenti i Rusisë, Dmitry Medvedev, e ka nënshkruar dekretin për njohjen formale të pavarësisë së dy rajoneve seperatiste të Gjeorgjisë, Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë.Vendimi, i cili hasi në reagime të ashpra në Perëndim, pasoi votimet në Parlamentin e Rusisë.

Presidenti i Rusisë Dmitry Medvedev tha se Rusia i ka njohur si të pavarura rajonet separatiste të Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut në Gjeorgji.

Në një prononcim televiziv, Medvedev tha se ai e kishte nënshkruar dekretin për njohjen e dy rajoneve separatiste të Gjeorgjisë.

"Duke marrë parasysh shprehjen e vullnetit të lirë të popullit oset dhe abkhaz, nisur nga Karta e Kombeve të Bashkuara, Deklarata mbi Parimet e Ligjit Ndërkombëtar e vitit 1970, Aktit Final të Helsinkit të vitit 1975 dhe dokumenteve tjera themelore ndërkombëtare, unë e nënshkrova dekretin për njohjen nga ana e Federatës Ruse të Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë", tha Medvedev.

"Rusia u bën thirrje vendeve tjera që ta ndjekin shembullin e saj. Kjo nuk është një zgjedhje e lehtë, por është e vetmja e mundshme për t'i shpëtuar jetët e njerëzve", deklaroi Medvedev.

Gjeorgjia e ka dënuar hapin. Zëvendësministri i Jashtëm, Giga Bokeria e përshkroi njohjen e Rusisë si "aneksim të hapur" të territorit të Gjeorgjisë.

Franca, e cila e ndërmjetësoi armëpushimin ndërmjet Rusisë dhe Gjeorgjisë, shprehu keqardhje për hapin e Kremlinit.

"Ne konsiderojmë se ky është një vendim për të ardhur keq, dhe e ripërsërisim përkushtimin tonë për integritetin territorial të Gjeorgjisë", tha zëdhënësi i ministrisë së Jashtme në Paris.

Më herët, presidenti amerikan, George Bush, ka kërkuar nga Rusia që ta respektojë integritetin territorial të Gjeorgjisë dhe të mos e njohë pavarësinë e rajoneve separatiste Osetia Jugore dhe Abkhazia.

Në një njoftim me shkrim, presidenti Bush tha se ishte "thellë i shqetësuar" nga thirrja që i është bërë presidentit Medvedev nga Parlamenti i Rusisë, për njohjen e këtyre dy rajoneve.

Dje, dy dhomat e parlamentit rus, Këshilli i Federatës dhe Duma shtetërore njëzërit votuan për t'i bërë thirrje presidentit rus Dmitry Medvedev që të njohë pavarësinë e këtyre rajoneve. /Radio Evropa e Lirë/
Shtuar më 28/08/2008, ora 01:22
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori