Veliaj i vetëkënaqur pas shembjes së Teatrit: Mua s’ma hedh njeri!

Presidenti ka bërë një hile, duke iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese. Kështu u shpreh në studion e emisionit “Opinion”, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj.

I pyetur, përse nuk priti vendimin e Gjykatës Kushtetuese për prishjen e godinës së teatrit, Veliaj tha se Presidenti i vendit ka shkuar në vendin e gabuar.

“Presidenti ka bërë një hile, sepse ky është akt administrativ dhe duhej drejtuar në Gjykatën Administrative. Ju sjell rastin e Kopshtit Botanik.

Në Kopshtin Botanik e kuptuan që është akt administrativ dhe rektorati i Tiranës që mund të mos jenë të pëlqëimit tim, bëri rrugën e duhur. Presidenti ka vajtur në vendin e gabuar për të bërë një hile” u shpreh Veliaj.

Më tej duke vijuar argumentimin e tij, Kryetari i Bashkisë së Tiranës tha se vendimi që Teatri Kombëtar të mos hynte në godinat e mbrojtura është vendosur nga Bujar Leskaj.

“Ky urdhri që nuk e ka Teatrin Kombëtar në godinat e mbrojtura është firmosur nga Bujar Leskaj, ish-Ministër i Kulturës në atë kohë”, u shpreh Veliaj

Duke iu rikthyer sërish Presidentit, ai tha:

“Vajti presidenti bëri një hile, ndaj atyre të vetëve se mua s’ma hedh njeri dhe e çoi në Gjykatën Kushtetuese, atë që duhej çuar në Gjykatën Administrative”.

Fevziu: Përse qenka hile kjo dhe jo e juaja që u tha që do votohet në 15 maj dhe u votua në 14.

Veliaj: Data 15 ishte një sajesë e mediave të opozitës dhe siç ndodh në Shiqpëri, “cut and paste”, asnjë nuk e verifikon. /Opinion/


Shtuar 18.05.2020 20:48