Rusia mund të dëbojë diplomatët gjermanë
Presidenti rus Vladimir Putin e cilësoi një gjeorgjian të vrarë në Berlin në gusht si “të etur për gjak” dhe “bandit”. Njëkohësisht ai la të kuptojë dëbimin së shpejti të diplomatëve gjermanë.

Gjermania dëboi javën e kaluar dy diplomatë rusë, pasi prokurorët thanë se ndoshta Rusia qëndron pas vrasjes në një park në Berlin në gusht të një ish-komandanti të luftës në Çeçeni.


Një i dyshuar u arrestua menjëherë pas vrasjes kur po përpiqej të hidhte në lumë armën e krimit. Hetuesit ndërkohë kanë zbuluar identitetin e tij të vërtetë. Ata e quajtën atë Vadim K. ose Vadim S. Sipas revistës Der Spiegel, e cila citohet edhe nga Reuters, numri i pasaportës e lidh atë me shërbimet ruse të sigurisë.

I pyetur në një konferencë shtypi në Paris nëse Rusia do të përgjigjet në të njëjtën mënyrë pas dëbimit prej Gjermanisë të dy diplomatëve rusë, Putini tha: “Ka ligje të pashkruara në të tilla raste: t’i dëbon diplomatët tanë, ne dëbojmë të tutë”.

“Ne duhet të gjejmë fajtorët dhe së bashku me Kancelaren (Angela Merkel) të bëjmë gjithçka për të ndihmuar kolegët tanë gjermanë,” u tha ai më tej gazetarëve në Paris, ndërsa mohoi se ka një “krizë” midis dy vendeve.

Putini e përshkroi Khangoshvilin si “luftëtar, shumë mizor dhe të përgjakshëm”, i cili kishte marrë pjesë në aktivitete separatiste dhe gjithashtu ishte përfshirë në shpërthime në metronë e Moskës.

Kancelarja Angela Merkel tha që e kishte diskutuar këtë temë gjatë takimit të saj dypalësh me Putin në Paris dhe i kishte bërë thirrje presidentit rus që të bashkëpunojë. “Unë supozoj se pala ruse do të na vërë në dispozicion informacionin e saj,” tha Kancelarja. “Sidoqoftë, mendoj se kështu do të ishte mirë”.

Zelimkhan Khangoshvili, një shtetas 40 vjeçar nga Gjeorgjia, e qëlluan dy herë në kokë në distancë të afërt në parkun Kleiner Tiergarten më 23 gusht, kur ndodhej rrugës për në xhami. Aktin besohet se e kreu një burrë rus, që u arrestua menjëherë pas kësaj.

Ndërkohë, Prokuroria Federale ka nisur hetimet dhe njoftoi se ka të dhëna për një vrasjes në emër të autoriteteve shtetërore ruse ose të Republikës çeçene. Rusia e ka hedhur poshtë çdo përfshirje në çështjen e vrasjes./DW
Shtuar më 12/12/2019, ora 08:51

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori