Rusia kërkon që Maqedonia t’i njohë Abkhazinë dhe Osetinë e Jugut
Albeu.com
Rusia ka kërkuar zyrtarisht nga Maqedonia që të njohë pavarësinë e Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut në Gjeorgji.Këtë e konfirmoi ambasadori rus në Shkup Vlladimir Solocinski, i cili është takuar me zv/ministrin e Punëve të Jashtme Zoran Petrov.

"Sot në mëngjes isha në Ministrinë e Punëve të Jashtme, e informova udhëheqësinë e Maqedonisë dhe kuptohet përcolla thirrjen zyrtare për njohjen e pavarësisë së Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë", tha ambasadori rus Solocinski.

Në MPJ bëjnë të ditur se zv/ministri Petrov ka përshëndetur ndërprerjen e luftimeve në Gjeorgji dhe se Maqedonia mbështet zgjidhjen paqësore të çështjes. Petrov ka informuar ambasadorin rus Solocinski se Maqedonia ende nuk ka marrëdhënie diplomatike me Gjeorgjinë.

Duke u përgjigjur në pyetjen se nëse pas njohjes së pavarësisë së Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut, Rusia do ta njohë edhe Kosovën, ambasadori Solocinski tha se për Rusinë nuk është në rend dite njohja e Kosovës, ashtu edhe siç nuk ishte një kohë njohja e pavarësisë së Osetisë Jugore.

"Njohja e pavarësisë së Kosovës nuk ishte faktor kyç kur ne sollëm vendimin për njohjen e Abkhazisë dhe Osetisë Jugore, por kishim parasysh atë, sepse jemi të bindur se vendet perëndimore vet krijuan precedent. Sot Rusia nuk flet për njohjen e pavarësisë së Kosovës ngase sot është kështu situata, nesër mund të ndërrohet, për shembull dje nuk folëm për njohjen e Abkhazisë dhe Osetise Jugore por ajo ndodhi”, tha ambasadori rus.

Ambasadori rus në vend Vlladimir Solocinski tha gjithashtu se Maqedonia nuk ndodhet në listën e vendeve që kanë furnizuar Gjeorgjinë me armatim.

"Sipas të dhënave të mia në atë listë nuk është Maqedonia. Shumë qartë mund të them se Qeveria e Maqedonisë nuk ka kurrfarë lidhje me të, për të duhet të jenë përgjegjës amerikanët dhe ukrainasit", shtoi Solocinski.

Ai gjithashtu tha se Rusia ka ndërprerë bashkëpunimin me NATO-n duke shtuar se Rusia do të vazhdojë të qëndrojë në mbështetje logjistike në Afganistan, pasi edhe vet Rusia ka interesat e saja atje.

Shkëlzen Aqifi, alsat
Shtuar më 28/08/2008, ora 01:24
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori