“M’u duk hallexhi”, Henrik Hoxhaj tregon si e ndoqi Bujar Çelën, por nuk e vrau: Dumani më çoi sms, mendova se eliminoi Talon

Është zbardhur dëshmia e një prej të penduarve të drejtësisë Henrik Hoxhaj i cili u arrestua bashkë me Nuredin Dumanin më 29 mars në Fier. Ai ka rrëfyer versionin e tij lidhur me vrasjen e Bujar Çelës në vitin 2020.

Henrik Hoxhaj në dëshminë e tij para SPAK, raporton se në fund të shtatorit në vitin 2020, Nuredin Dumani i ka kërkuar që të kryej në Elbasan vrasjen e Bujar Çelës, vëllait të Talo Celës. Për këtë vrasje Dumani i kishte ofruar Henrik Hoxhajt një shumë prej 60 mijë eurosh.

Fillimisht Henrik Hoxhaj dëshmon se e ka pranuar punën dhe kishte filluar t mblidhte të dhëna për shënjestrën e radhës. Sipas Henrik Hoxhajt, Bujar Çelën e ka ndjekur teksa ai punonte si taksist nëpër qytet.

Ai shton se personi në fjalë i është dukur hallexhi dhe kështu ai vetë nuk ka qenë i predispozuar për ta bërë si punë, dhe për këtë arsye ai e ka shtyrë kryerjen e vrasjes. Pas disa kohësh Nuredin Dumani, dëshmon Henrik Hoxhaj, i ka çuar SMS duke thënë se e bëri atë punën e Çelës.

“Në një moment kam dyshuar se Nuredin Dumani ka vrarë Talon, por në televizor kam parë se kishte vrarë Bujar Çelën që unë nuk e kisha kryer si porosi” mësohet të jetë shprehur Henrik Hoixhaj.

Lidhur me ngjarjen e ndodhur më 17 shtator 2020, Nuredin Dumani ka rrëfyer edhe versionin e tij për vrasjen e vëllait të Talo Çelës.

Rrëfimi i plotë i Dumanit

“Në lidhje me vrasjen e Bujar Çelës të ndodhur në Elbasan në 17 Shtator të vitit 2020 dua të sqaroj se, arsyeja që u vra Bujari ishte se 2 ditë më parë më datë 15 shtator të vitit 2020 u vra miku im Klevis Kapllani në Rrogozhinë (dyshoj se ngjarja është kryer nga Talo Çela dhe njëri nga vëllezërit Manhasa). Arsyeja e vrasjes së Kapllanit ishte se kishte dërguar pistoletën në ngjarjen e Ramazanit tek servisi i Seit Manhasës vëllait të autorit. Unë u organizova me Enver Diven dhe me Besmir Xhixhën. Komunikova me Erjon Alibej edhe i thashë që do ndërroj objektiv nuk do ti bëj atentat Dine Çamit por do organizoj vrasjen e vëllait të Talo Çelës për të marrë hakun e shokun tim. I thash Erjonit do t’i jap çunave 60.000 Euro, Enverit dhe Besmirit. Jemi takuar në 16 Shtator me Enverin dhe Besmirin në fshatin Pajovë dhe kemi qëndruar gjithë natën në një arë në Pajovë duke pritur orën 04:00 të mëngjesit pasi Bujar Çela në këtë orë çohej për të shkuar tek autobuzat që vinin nga Greqia dhe pinte kafe aty.

Në orën 4:00 kemi shkuar tek shtëpia e Bujar Çelës por na diktuan. Unë së bashku me çunat i shkova para shtëpisë dhe po prisja që të hapej dera e banesës për të dalë jashtë Bujari. Duke qëndruar në pritje vjen pas meje një shtetas të cilin nuk e njihja dhe e pyes kush je ti ? Më tha që jam i shtëpisë këtu. Unë isha veshur me një jelek antiplum dhe i them personit jam i Policisë. I thash çunave, o komandant hajde se na pikasën dhe u larguam. Unë isha me mjetin Mercedes E Class i vitit 2012 i cili ishte e vjedhur…. Pasi ikëm direkt tek kthesa e Cërrikut që të largoheshim nga lagja e Bujarit. U ktheva edhe njëherë bashkë me Besin dhe Enverin tek lokali ku unë e dija që ai e pinte kafen në mëngjes. Për vendndodhjen se ku e pinte kafen Bujari më kishte informuar Eljo Bitri. Eljon e kisha si informator por në këtë ngjarje nuk e dinte që do vritej atë ditë Bujari… Kur jam kthyer nga kthesa e Cërrikut për te lokali që do kryenim ngjarjen, kam ndaluar tek një karburant dhe kam hedhur naftë. Më pas shkova drejt vendngjarjes. Nuk e mbaj mend nëse isha unë para apo makina tjetër. Rrugës afër lokalit pashë që doli nga makina Bujar Çela në atë moment bëra rreth rrotullimin dhe e ndalova makinën pak më përpara lokalit. Enveri me Besin ishin me makinën Renault përballë lokalit ku po prisnin që të afrohesha unë. Kur ata më panë që unë zbrita nga makina, Enveri doli nga makina ku po qëndronte dhe shkon në drejtim të Bujar Çelës për ta qëlluar. Personat që ishin në tavolinë me Bujarin u çuan dhe u larguan, në atë moment Enveri e goditi me armën Scorpions 7.65 diku tek 20 herë. Unë shkova për ta qëlluar por pistoleta me ngeci. Ishte pistoleta që me kishte falur Talo Çela. Bujari nuk kishte vdekur akoma por unë e doja të vdekur. Meqenëse mua mu bllokua arma që kisha thërras Besin që ishte shofer dhe i thash hajde më sill armën. Më tha ça të bëj, i thash ta godiste në kokë. Ai qëlloi dy herë me pistoletë 9 mm nuk e mbaj mend armën. Jemi larguar direkt pastaj secili me makinë të vetë në drejtim të Peqinit ku unë ika shumë para dhe prita sa të vinin çunat me Renault. Ja bëra me shenjë kur i pashë që të ktheheshin tek vendi ku do digjeshin makinat. Çunat e futën makinën dhe e dogjën dhe që të 2 erdhën te makina ime tip Benz. U larguam deri në Fushë Krujë me benzin….Armët i kemi hedhur në kanal. I kemi hedhur tek rruga dytësore në Plepa tek kanali. Mbas shinave ku është rotondo jemi kthyer djathtas dhe kemi hedhur armët. Nëse shkoj në vendin e ngjarjes mund ta identifikoj vendin. Lekët mi ka sjellë Erjoni nëpërmjet një personi në Vorë ku unë kam nxjerr Enverin dhe Besin të marrin lekët me sa mbaj mend. Erdhën lekët tek unë dhe ja ndava të dyve. Unë nuk mbajta asnjë lek. Të dyve i ranë nga 30.000 Euro për kokë. Unë pastaj u largova për në Kosovë. Arjanit i kam shkruar për këtë ngjarje.


Historia e Nuredin Dumanit dhe Talo Çelës, që nga miq u shndërruan në armiq

Historia nis me vrasjen e vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia në Durrës më 27 prill 2020  dhe si edhe Dorian Shkoza dhe Anxhelo Avdia në 2 mars 2020, ku Nuredin Dumani akuzohet së bashku me Talo Çelën. Megjithatë, hetuesit kanë dyshime se mes Dumanit dhe Çelës ka patur mosmarrëveshje që pas eleminimit në Sinaballaj të Rrogozhinës të Klevis Kapllanajt.

3 ditë pas vrasjes së 33-vjeçarit, në automjetin e tij mëngjesin e 17 shtatorit u vra dhe Bujar Çela. Kapllanaj dhe Dumani, sipas prokurorisë, kanë qenë miq. Pra dyshohet që Talo Çela ka ekzekutuar Klevis Kapllanajn, shokun e Nuredin Dumanit, prandaj ky i fundit në shenjë hakmarrjeje i ka vrarë të vëllanë, Bujar Çelën.

 

Kush është Nuredin Dumani

Nuredin Dumani, 37 vjeç është një emër jo pak i njohur në botën e krimit. Ai është autor i dyshuar për vrasjen e vëllezërve Haxhia në Durrës, kjo sepse siç ka dëshmuar i penduari i drejtësisë, Klevis Alla vëllezërit u vranë pasi akuzoheshin se nuk i kishin kthyer një shumë të konsiderueshme parash që kishin lënë në servisin e tyre. Vëllezërit Haxhia, gjithmonë sipas dëshmisë së Klevis Alla, kanë deklaruar se paratë i kanë humbur në muajin janar të këtij viti kur servisi i tyre ra pre e vjedhjes, ku i morën edhe materiale dhe nuk kishin asnjë mundësi për t’i kthyer pas. Dumani është shok me Klevis Kapllanin, i ekzekutuar 14 plumba më 15 shtator. Ai akuzohet edhe si organizator i vrasjes së Dorjan Shkoza dhe Anxhelo Avdylit, në 2 mars 2020. Po ajo që bie më shumë në sy është se në vrasjen e katër të rinjve në Durrës, Dumani ka bashkëpunuar së bashku me Talo Çelën, sot ai akuzohet për vrasjen e vëllait të tij, Bujar Çela.

14 të akuzuarit që janë në arrati

Ervis Martinaj

Florenc Çapja

Talo Çela

Eljo (Ervis) Bitri

Festim Qoli

Alban Bengasi

Elvin Merlika

Alket Xhixha

Marjus (Suel) Lulaj (Çela)

Agron (Kamber) Mehja

Aleks Çela alias (Tom Qorri)

Agim Gjini

Mikael Qosja (Kamami) (Stefo)

Abedin Mama (Dine Çami)

 

9 masa sigurimi janë ekzekutuar në disa IEVP

  1. Nuredin Dumani, 35 vjeç
  2. Henrik Hoxhaj, 40 vjeç
  3. Altin Ndoci, 35 vjeç
  4. Erion (Andrea) Alibej, 36 vjeç
  5. Skerdi Tasi, 31 vjeç
  6. Elvis Koçi (Çaushllari), 30 vjeç
  7. Ilirian Feci, 47 vjeç
  8. Enver Diva, 43 vjeç
  9. Besjan Xhixha, 31 vjeç

 

9 masa sigurimi “Arrest në burg” në ngarkim të shtetasve, të cilët u arrestuan gjatë operacionit

  1. Ardjan Uzuni, 56 vjeç
  2. Leonard Palushi, 41 vjeç
  3. Gentian Sharra, 48 vjeç
  4. Fatos Gosa, 54 vjeç
  5. Florenc Çekrezi, 35 vjeç
  6. Petrit Qoli, 51 vjeç
  7. Agron Qoli, 52 vjeç
  8. Agron Qafa, 48 vjeç
  9. Asllan Plaku, 30 vjeç/abcnews.al/