Rusia e shantazhon Serbine
Albeu.com
Serbia ka marrë një paralajmërim të qartë nga Rusia. Nëse Beogradi vendos të hyjë në NATO, atëherë Rusia do të njohë pavarësinë e Kosovës. Ambasadori rus, Dmitrij Rogozin, ka thënë se rusët nuk mund të bëhen më serbë se serbët.
Moska e ka paralajmëruar Serbinë se nëse vendos të bëhet anëtare e NATO’s, atëherë Rusia do të detyrohet të njohë pavarësinë e Kosovës.

Kështu ka deklaruar përfaqësuesi i përhershëm rus në NATO, Dmitrij Rogozin, për të përditshmen serbe “Blic”

“Nëse Serbia dëshiron të hyjë në NATO, ajo duhet të heq dorë nga Kosova, e pastaj edhe Rusia do të detyrohet të rishikojë qëndrimin e vet ndaj Kosovës, sepse ne nuk mund të jemi serbë më të mëdhenj se vetë serbët”, ka thënë ambasadori Rogozin.

Sipas tij, meqenëse shumica e shteteve anëtare të NATO’s e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, atëherë Serbia nuk mund të anëtarësohet në këtë Aleancë pa i pranuar kufijtë e dhe shtetin e Kosovës.

“Beogradi do të detyrohet që zyrtarisht ta njohë sovranitetin e Prishtinës, e kjo do të ndikojë që Madridi dhe Moska ta ndryshojnë qëndrimin ndaj Kosovës. Ne, thjesht, nuk do të kemi më argumente që të bëhemi më serbë se serbët, siç thotë ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov”, ka sqaruar ambasadori Rogozin.

Aktualisht në Serbi ka debat të gjerë dhe polemika se a duhet hyrë në NATO.

I pyetur për këtë, diplomati rus ka thënë se nuk e kupton qëndrimin e përfaqësuesve të elitës politike dhe ushtarake serbe, të cilët dëshirojnë që Serbia të anëtarësohet në NATO.

“Sekretari i Përgjithshëm i NATO’s, Anders Fog Rassmusen, ka deklaruar se nëse Serbia dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Europian aspak nuk është obligim që së pari të hyjë në NATO. Duke marrë parasysh këtë, e kam të vështirë të kuptoj sesi mund të flitet për anëtarësim në Serbi për anëtarësim në NATO kur në Beograd edhe sot shihen gjurmët nga bombardimet e NATO’s para dhjetë viteve. Pastaj çështja e demonizimit të popullit serb, kutet e dyfishta, flagrante të Perëndimit ndaj pjesëmarrësve në luftërat e ish-Jugosllavisë. Tërë kjo është harruar? Thjesht, Rusia nuk do ta kuptojë zgjedhjen e Serbisë në dobi të NATO’s, duke marrë parasysh këto që i përmenda”, ka thënë Rogozin.

Ambasadori rus në NATO beson se çështja e anëtarësimit të Serbisë në NATO, gjithsesi duhet zgjidhur përmes referendumit, ndërkaq, fillimisht duhet marrë mësim nga përvoja e shteteve neutrale në Europë: Austria, Zvicra dhe Suedia, të cilat nuk kanë status jashtë ombrellës së NATO’s, megjithëse janë fqinj me shtete të Aleancës.

“Kjo nuk i pengon të bëjnë jetë të qetë dhe paqësisht të ndërtojnë institucionet e sigurisë, duke mos dorëzuar në Bruksel sovranitetin nacional”, ka thënë ai.

“Qëndrimi i Rusisë është që të mos e njohë Kosovën, që të mos lejohet rishikimi i kufijve të Serbisë. Është fakt se tani KFOR’i është duke zvogëluar trupat, por kjo nuk do të thotë se situata në Kosovës është përmirësuar dhe atje jetohet në paqe”, ka shtuar përfaqësuesi rus.

Edhe ambasadori rus në Beograd ka deklaruar se Serbia do ta pranonte pavarësinë e Kosovës nëse hyn në NATO, sepse Aleanca nuk e konsideron Kosovën si pjesë të Serbisë. (express)
Shtuar më 07/02/2010, ora 19:15
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori