“Një maloke më pak në drejtësi”, Mehdi Malka: Unë jam derr maloku, Shqipëria është një

Ditën e sotme shoqëria civile ka protestuar kundër diskriminimit, pasi një anëtare e KPK e cilësonte maloke kryeprokuroren Elisabeta Imeraj.

Në disa SMS që ka lexuar përpara KPA, Imeraj ka deklaruar se komisionerja e shkallës të parë Genta Bungo, kërkonte shkarkimin e prokurores së Tiranës për shkak se ishte “maloke”, duke iu referuar origjinës së saj nga Tropoja.

Aktori nga Tepelena Mehdi Malka, ka marrë pjesë në këtë protestë teksa tha se është turp që shqiptarët të ndahen në veri dhe jug.

Pjesë nga fjala e Mehdi Malkës:

“Kjo është luftë e madhe veri jug. Me një makinë vete brenda ditës nga Konispoli në Kosovë, ku e gjetëm ne veriun dhe jugun. Veri-jug kanë vendet e mëdhaja, ne jemi një vend i vogël.

Unë e dua shumë Shkodrën, e dua Dibrën se kam qenë nga Lëpushi te Krojet e Bardha, kam punuar aty, kam dhënë shfaqje. Unë e dua shumë vendin tim. Ç’është kjo ndarje veri jug.

Politika e ndyrë antishqiptare e ka shpikur këtë veri-jug që vazhdon të jetë e ulur këmbëkryq në qendër të Tiranës. Unë kam shumë miq nga veriu dhe jugu, por çfarë rëndëise ka kjo.

Erdhën vëllezërit kosovar në kohën e luftës por nuk ndenjën vetëm në veri u pritën në të gjithë Shqipërinë.

Unë jam një derr maloku që nuk e kini mendjen. Se fjala malok po ta zbërthesh ka një fjalë shqip dhe turqisht”, tha Mehdi Malka.